- Trupi dhe Shëndeti
Çrregullimi i ankthit të gjeneralizuar: si ta përballoni në mënyrë të natyrshme

Çrregullimi i ankthit të gjeneralizuar
Një gjendje ankthi e pashpjegueshme dhe që nuk varet nga shkaqe specifike. Ky është përshkrimi i çrregullimit të ankthit të gjeneralizuar, një problem që shumë njerëz e përjetojnë çdo ditë, por për të cilin ekzistojnë disa zgjidhje. Personi që vuan në veçanti nga ky shqetësim mund të ketë simptoma si për shembull një gjendje vigjilence të vazhdueshme e cila nuk varet nga shkaqe të jashtme, por edhe pamundësia për të toleruar disa situata që ndodhin në ambiente të jashtme. Këtyre u bashkohen edhe vështirësia në përqëndrim, probleme dhe çrregullime të gjumit si dhe simptoma fizike si rritja e frekuencës kardiake, djersitje dhe vështirësi në frymëmarrje. Çrregullimi i ankthit të gjeneralizuar mund të ndikojë negativisht në përditshmërinë e jetës tuaj dhe për këtë arsye është e nevojshme të ndërhyhet që në fillim. Ekzistojnë terapi specifike për ankthin e gjeneralizuar por gjithashtu mund të përdoren disa teknika natyrale që mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë.
Teknikat e relaksimit
Teknikat e relaksimit janë të shumta dhe secila prej tyre mund të ketë benefitet përkatëse përsa i përket çrregullimit të ankthit të gjeneralizuar. Teknikat që mund të vihen në përdorim janë të ndryshme, nga teknika “biofeedback” dhe meditimi deri tek joga dhe teknika e frymëmarrjes së thellë. Secili person duhet të gjejë teknikën e preferuar të relaksimit në mënyrë që të arrijë të zvogëlojë në maksimum të gjitha simptomat e çrregullimit të ankthit.
Agopuntura për ankthin
Agopuntura mund të përdoret për shqetësimet e ankthit të gjeneralizuar, veçanërisht duke u nisur nga ai që mund të jetë burimi i vetë çrregullimit. Në fakt, për agopunturën ky problem lind nga çekuilibrat në nivel energjitik por edhe nga helmimi dhe funksionimi i keq i disa organeve si mëlçia dhe veshkat. Në këtë mënyrë aplikimi i ageve mund të bëhet pas një kontrolli të imtësishëm të personit për të kuptuar cilat mund të jenë burimet e ankthit të tij. Përmirësimi i situatës do fillojë të ndihet pas disa seancave.
Barnat dhe preparatet e veçanta
Edhe barnat mund të ndihmojnë kundër çrregullimit të ankthit të gjeneralizuar. Duke filluar nga valeriana dhe mentja deri tek disa preparate më ekzotike si ato me bazë “ashwagndha”, një lloj bari mjekësor që e ndihmon trupin të ruajë nivelet e duhura të homeostazës, duke ulur në këtë mënyrë reagimet negative nga ana e sistemit nervor. Këto lloj preparatesh duhet t’i kërkohen farmacistit dhe është e nevojshme të njoftoni edhe mjekun tuaj për përdorimin e tyre veçanërisht nëse jeni duke marrë ilaçe të tjera.
Lulet e Bach kundër ankthit
Lulet e Bach mund të ndihmojnë në stabilizimin e ekuilibrit të trupit dhe mendjes duke përballuar në mënyrë të natyrshme çrregullimin e ankthit të gjeneralizuar. Ekzistojnë dy lloje të ndryshme të këshilluara në këto raste. E para është lulja e Agrimonias, e cila ka një efekt të jashtëzakonshëm për ankthin e gjeneralizuar, veçanërisht për ata që kanë vështirësi të përballojnë problemet dhe që vuajnë nga ky shqetësim edhe natën. E dyta është lulja Aspen, e këshilluar veçanërisht për ata që kanë probleme të mëdha pasigurie dhe që nuk janë në gjendje të përballen me situata të reja.