• Trupi dhe Shëndeti

6 gjëra që i duhen femrave për një jetë të lumtur dhe të shëndetshme seksuale


S’keni shumë dëshirë për të kryer marrëdhënie seksuale apo keni probleme për të arritur orgazmën? Zgjidhja mund të jetë shumë e thjeshtë: të dini çfarë ju pëlqen në dhomën e gjumit. Për të gjitha ju vajza dhe gra, më poshtë ju japim 6 këshilla që mund t’ju ndihmojnë të shijoni në maksimum intimitetin seksual.


Benefitet e seksit shtrihen përtej dhomës së gjumit. Studimet kanë zbuluar se seksi përmirëson shëndetin e zemrës dhe rrit imunitetin. Veç kësaj, seksi i rregullt me partnerin krijon një lidhje intime që është thelbësore për një marrëdhënie të shëndetshme.

Por nëse jo çdo herë jeni në humorin e duhur për seks, nuk jeni vetëm. “Shumë gra kanë luhatje të dëshirës seksuale të cilat mund të vijnë nga probleme më madhore”, shprehet Ian Kerner, një psikoterapist dhe terapist seksi në Nju Jork. “Në njëfarë mënyre, dëshira seksuale është një barometër i shëndetit tuaj të përgjithshëm,” shpjegon ai. “Nëse dikush vuan nga mungesa e dëshirës seksuale, shpesh mund të jetë tregues që mund të kemi një problem emocional ose fizik.”

Atëherë si mund t’i rrëzojmë këto barriera të dhomës së gjumit dhe të ndezim një zjarr më të madh mes çarçafëve? Zbuloni për çfarë kanë nevojë vërtet femrat për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur seksuale.

1. Të dini çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në dhomën e gjumit

Gjëja e parë që ju duhet për të shijuar krevatin është të dini çfarë ju pëlqen, shprehet Dr. Kerner. “Të dini çfarë ju bën të ndiheni mirë, çfarë ju eksiton dhe çfarë jo, stimulimi që ju duhet për të ardhur në qejf, pozicionet që ju pëlqejnë dhe një partner që mund të vallëzojë me ju dhe që mbi të gjitha që e njeh atë vallëzim” shpjegon Dr. Kerner.

Është e rëndësishme të flisni me partnerin tuaj për këto dëshira, shton ai. “Nëse nuk ndiheni komode të flisni për këtë gjë, diskutojini këto gjëra në formën e një fantazie,” këshillon Kerner. Për shembull mund t’i thoni partnerit tuaj që gjatë ditës keni fantazuar sesi ju të dy putheshit gjithë pasion sikur të ishit adoleshentë. “Përpiquni të përdorni një gjuhë eksituese dhe stimuluese,” shton ai. “Kjo formë loje do ju ndihmojë të bëni seks ashtu siç keni dëshirë.” Gjithashtu masturbimi mund t’i ndihmojë femrat të mësojnë çfarë pëlqejnë në krevat dhe të ndihen më të fuqishme seksualisht.

2. Aftësia për t’u përqëndruar tek ai çast dhe shkëputja nga çdo “zhurmë”

Me mënyrën tonë të jetesës e cila në kohët e sotme ka shumë stres, është normale të shpërqëndrohesh, edhe pse do të preferonim të përqëndroheshim tek romanca. Por veçanërisht për femrat, është e rëndësishme përqëndrimi tek ai çast. “Është mirë të zgjidhni një ambient të relaksuar ku truri juaj ç’aktivizohet plotësisht në mënyrë që të përjetoni një kënaqësi të plotë dhe të arrini në orgazëm,” shprehet Kerner.

Shkenca e mbështet idenë që shkëputja nga “zhurmat” mund t’i ndihmojë njerëzit të përmirësojnë jetën e tyre seksuale. Një studim i publikuar në Shtator 2017 në Revistën “Kërkimet Seksuale” tregoi se gratë kishin raportuar përmirësime të rëndësishme përsa i përket dëshirave të tyre seksuale, seksit në përgjithësi dhe një ulje të problemeve me seksin. Një studim tjetër, i publikuar në 2018 në Revistën “Terapia e Seksit dhe Martesës” zbuloi se gratë që meditonin kishin një rezultat më të lartë përsa i përket dëshirës seksuale dhe kënaqësisë që merrnin nga seksi.

Nëse po mendoni më shumë për gjërat që duhet apo s’duhet të bëni dhe më pak për atë që po ndodh në dhomën tuaj të gjumit, fantazia mund t’ju ndihmojë të përqëndroheni. “Mendoj që fantazia është një mjet shumë i fuqishëm për të fikur trurin tuaj i cili është gjithmonë në ankth,” shprehet Kerner. “Duke folur me pacientet femra gjatë viteve, shumë prej tyre shprehen se fantazojnë shpesh gjatë seksit në mënyrë të natyrshme apo të qëllimshme pikërisht për këtë arsye, për të arritur maksimumin e kënaqësisë.”

3. Imazh pozitiv për trupin dhe vetëbesim seksual

Nëse një femër nuk ndihet rehat me trupin e saj, mund të jetë më sfiduese për të për ta shijuar seksin. Sipas një studimi të publikuar në Revistën “Mjekësia Seksuale”, imazhi për trupin, duke përfshirë shqetësimin për peshën, gjendjen fizike, tërheqjen seksuale dhe mendimet për trupin gjatë aktivitetit seksual japin një parashikim rreth kënaqësinë seksuale tek femrat. Këto rezultate tregojnë se gratë që përjetojnë një kënaqësi të ulët seksuale mund të përfitojnë nga trajtimet apo mjekimet që merren me këto akpekte specifike të imazhit të trupit.

Sipas një studimi tjetër, frekuenca e seancave të sportit dhe aktivitetit fizik rrisnin tërheqjen fizike dhe nivelet e energjisë, faktorë këto të rëndësishëm për rritjen e vetëbesimit. Përveç kësaj, personat të cilët ndiheshin mirë me veten e tyre ndiheshin më të dëshiruar seksualisht dhe mund të performonin më mirë gjatë aktit seksual. “Si për femrat ashtu edhe për meshkujt, imazhi negativ për trupin mund të pengojë dhe të jetë një faktor frenues,” shprehet Kerner. “Imazhi pozitiv për trupin mund të rrisë vetëbesimin. Kam patur pacientë që kanë pohuar se vetëm nga humbja e 1 ose 2 kileve apo thjesht nga fillimi i aktivitetit fizik ka patur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e vetëvlerësimit të tyre seksual.”

Në çdo rast, është e rëndësishme të kuptoni që kur jeni në krevat, partneri juaj nuk e ka mendjen tek kilet e tepërta, tek strijat apo tek shenja që ju ka ngelur nga operacioni çezarian. “Nuk është e thënë të keni një trup perfekt për të shijuar seksualitetin tuaj,” shprehet Kerner. Dhe me shumë gjasa partneri juaj mendon që jeni perfekte ashtu siç jeni. “Shumë nga shijet personale të meshkujve nuk përshtaten me ato që media i cilëson si trupi perfekt,” shton ai. Dhe sigurisht gjatë seksit dhe çasteve të thella intime, meshkujt janë më të përqëndruar në detajet dhe eksperiencën e seksit sesa tek trupi i personit.”

4. Besimi dhe siguria emocionale në raportin tuaj

Është e vështirë të kryesh seks të lirshëm nëse ndihesh e shkëputur nga partneri yt apo nëse jeni e shqetësuar për besnikërinë e tij. Nëse mendoni se partneri juaj ka një lidhje tjetër, është e rëndësishme ta adresoni këtë çështje. Për ta filluar bisedën në një mënyrë jo konfliktuale, Kerner këshillon të nisni me një fjali të tillë: “Ndjej që kohët e fundit kemi qenë të shkëputur dhe ti je gjithë kohën në telefon ose duke dërguar mesazhe. Kjo më bën të ndihem pak e pasigurtë në raportin tonë.” Pastaj shpjegojini që doni që raporti juaj dhe jeta seksuale të jenë një prioritet pasi ju i konsideroni shumë të rëndësishme.

5. Të njihni gjendjen shëndetësore seksuale të partnerit tuaj

Askujt s’i pëlqen pyetja e sikletshme: “Kur i ke bërë analizat e fundit për sëmundjet seksualisht të transmetueshme?” apo diskutimet për partnerët e shkuar apo përdorimit të pilulës, por mos kini frikë të bëni pyetje në lidhje me historinë seksuale të partnerit tuaj. Mund t’i shtoni edhe pak ngjyrë diskutimit, sugjeron Kerner, duke thënë diçka si: “Më dukesh vërtet tërheqës seksualisht dhe më pëlqen të kem një raport me ty. Por që ta shijoj plotësisht, dua që të flasim për historitë tona seksuale dhe të biem dakord për çështjen e sigurisë.” Nëse partneri juaj nuk është i hapur për këtë diskutim, ai ose ajo mund të mos jetë personi i duhur për ju.

6. Produktet e duhura për ta bërë seksin më të rehatshëm

Ndërsa është e njohur gjerësisht që gratë pas një moshe të caktuar mund të përjetojnë thatësi vaginale, edhe gratë më të reja në moshë mund të vuajnë nga një problem i tillë. Për t’i bërë gjërat më të rehatshme, provoni të përdorni një lubrifikues; por zgjidhni të duhurin pasi produktet që shiten në treg kanë dallime të mëdha mes njëri tjetrit. Kerner, i cili rekomandon lubrifikuesit natyralë me bazë uji, thekson shumë rëndësinë e nxehjes paraprake për një eksitim natyral. “Ju mund të eksitoheni fizikisht por jo mendërisht ose e kundërta kështu që mund t’ju duhet pak më shumë kohë për të ardhur në qejf,” shpjegon më tej Kerner.

0 comments