top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

6 mënyra se si stresi ndikon negativisht në sistemin tuaj tretës


Ju mund të mos jeni në dijeni, por ekziston një lidhje e fortë midis stresit dhe mirëqenies së sistemit tuaj tretës. Më poshtë do ju japim disa informacione bashkë me mënyrat se si ta çlironi stresin për një sistem tretës më të shëndetshëm.


A keni patur ndonjëherë një ngarkesë aq të fortë emocionale sa që keni filluar të ndjeni simptoma fizike? Ndoshta pak siklet në stomak? Ju bëjmë me dije që nuk jeni i vetëm. Një numër i madh kërkimesh po zhvillohen në lidhje me stresin dhe problemeve që shkakton në sistemin tretës. Më poshtë do të lexoni se si stresi ndikon në sistemin tuaj tretës dhe cilat janë disa këshilla për eleminimin e tij.


Trakti jonë gastro-intestinal ka një sistem nervor më vete, i quajtur sistemi nervor i zorrëve. Sistemi nervor i zorrëve përbëhet nga të njëjtat blloqe neuronesh si sistemi qëndror nervor, të njohura ndryshe si truri dhe palca kurrizore. Jo vetëm që janë të ngjashme në përbërje, por neuronet e zorrëve përdorin një shumëllojshmëri neurotransmetuesish, si serotonina, për të komunikuar me trurin. Për shkak të ndërlidhjes së tyre, stresi mund të shkaktojë ose përkeqësoje gjendjen e traktit tuaj gastro-intestinal, probleme të cilat, në kohë të gjatë, mund të intensifikojnë stresin dhe ankthin. Në fakt, disa trajtime të problemeve të traktit gastro-intestinal përfshijnë psikoterapinë për të vlerësuar dhe menaxhuar stresin.


Studimet e fundit kanë zbuluar një lidhje midis stresit dhe shqetësimeve të sistemit tretës si problemet me tretjen apo sindroma e zorrës së irrituar. Për më tepër, këto studime kanë treguar që stresi mund të ketë implikime në mikrobiotën e zorrëve. Për të gërmuar pak më thellë, një rishikim i studimeve hodhi një sy tek 6 nga arsyet kryesore se pse stresi mund të shkaktojë probleme tek sistemi tretës i njeriut. Më poshtë do të lexoni një përmbledhje të tyre:


Kapsllëku

Trakti juaj gastro-intestinal është i veshur me një lloj muskuli që quhet muskul i lëmuar. Këto muskuj kontraktohen në mënyrë të pavullnetshme duke krijuar një lëvizje valore të quajtur peristaltikë. Këto kontraktime të muskujve i lejojnë ushqimit të lëvizë në një drejtim nëpërmjet sistemit tuaj tretës. Peristaltika ndodh kur trupi është duke përdorur sistemin nervor parasimpatik (mos harroni: trupi juaj ka nevojë të çlodhet). Kur trupi juaj përjeton stres, reagon duke kaluar në një gjendje alarmi për “mbijetesë”. Kur ndodh kjo, fokusi i trupit nuk është më tek peristaltika e zorrëve dhe kjo mund të shkaktojë kapsllëk.


Stomak i ndjeshëm

Truri dhe zorrët tuaja kanë komunikim të rregullt me njëra tjetrën. Kur truri është i stresuar, ai e përcjell ndjesinë e shqetësimit tek stomaku ynë. Me pak fjalë, ne jemi më të ndjeshëm për mënyrën se si ndihet stomaku ynë kur jemi të stresuar. Kjo është vërtetuar veçanërisht për njerëzit që vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar.


Urth

Nivele të larta dhe të zgjatura të stresit mund të rrisin sekrecionet acide të stomakut të cilat mund të dëmtojnë veshjen e zorrëve tona. Me kalimin e kohës, kjo mund të shkaktojë një sërë problemesh me tretjen dhe madje t’ju bëjë më të prekshëm ndaj ulcerave të ndryshme, të cilat shkaktohen nga një bakter specifik. Kur ndodh një rritje e acidit të stomakut, ai shkakton më shumë presion në muskujt e poshtëm unazorë të ezofagut të cilët nga ana e tyre lejojnë kthimin e acidit në ezofag duke shkaktuar urth.


Fenomeni i “Zorrës Rrjedhëse”

Qelizat që veshin zorrët tona veprojnë si barrierë duke mbajtur larg gjëra që nuk duam siç mund të jenë bakteret e këqija ose mbetje të ndryshme. Megjithatë, stresi mund të rrisë përshkueshmërinë e këtyre qelizave. Sa më të stresuar të jemi, aq më e lehtë bëhet për gjërat e padëshirueshme të kalojnë nëpërmjet zorrëve tona. Ky është një fenomen që quhet “zorrë rrjedhëse”. Në fund, kjo shkakton më shumë inflamacion dhe ndjesi sikleti.


Fryrje

Kur trupi hyn në një gjendje alarmi ndaj stresit, ai i jep përparësi trurit dhe muskujve. Qarkullimi i gjakut bëhet më i fortë në ato zona ndërkohë që zbehet qarkullimi i gjakut tek pjesa e zorrëve. Kjo mund të zvogëlojë aftësinë e traktit gastro-intestinal të vetëshërohet duke shkaktuar çarje. Pa qarkullim gjaku vështirësohet gjithashtu lëvizja e lëngjeve nëpërmjet traktit gastro-intestinal. Kjo është një tjetër arsye e fortë pse stresi ndikon negativisht.


Ulje e sasisë së baktereve të mira të zorrëve

Shëndeti i zorrëve tona ndikohet nga ushqimi që konsumojmë, por gjithashtu nga shëndeti i përgjithshëm i zorrëve. Kur trakti jonë gastro-intestinal është nën presionin e të gjitha simptomave të përmendura më lart, kjo situatë ndikon negativisht edhe tek bakteret e mira të zorrëve. Disa studime kanë treguar se ka një komunikim të rregullt midis aksit tru-zorrë, sistemit imunitar dhe mikrobiomës së zorrëve. Për fat të mirë, konsumimi me shumicë i probiotikëve dhe prebiotikëve mund të ndihmojë në zbutjen e efeteve negative tek bakteret e zorrëve.


Përfundimi

Stresi i tepërt mund të ketë implikime negative për sistemin tonë të tretjes. Simptoma si fryrje, kapsllëk, urth dhe shqetësime të stomakut mund të jenë një shenjë se jeni më i stresuar nga ç’mendoni. Kjo shkakton edhe disa ndryshime të tjera delikate siç mund të jenë ulja e sasisë së baktereve të mira të zorrëve dhe rritja e sasisë së acidit të stomakut. Megjithëse stresi në jetën e përditshme është i pashmangshëm, ka shumë mënyra për ta menaxhuar dhe minimizuar atë. Studimet e përmendura më lart kanë zbuluar se melatonina ka shfaqur “efekte mbrojtëse të rëndësishme” ndaj dëmtimeve të traktit gastro-intestinal të shkaktuar nga stresi. Megjithëse suplementët e melatoninës nuk kanë provuar se ndihmojnë me gjumin, trupi jonë e prodhon në mënyrë të natyrshme këtë hormon të gjumit kur bie drita, çka përbën një arsye të mirë për të fikur aparaturat tuaja elektronike dhe të zbehni dritën e dhomës tuaj para fjetjes. Të flini rregullisht 7 orë gjumë do ju ndihmojë të ulni nivelet e stresit. Një studim tjetër u fokusua tek efektet që shkakton stresi i punës në traktin gastro-intestinal. Studiuesit zbuluan se njerëzit që kishin punë me stres të lartë, përfshirë këtu policët dhe kontrollorët e trafikut ajror, kishin shfaqur shqetësime më të mëdha me traktin gastro-intestinal. Kjo nuk do të thotë që s’mund të jeni i shëndetshëm nëse keni një punë me stres të lartë, por megjithatë është e rëndësishme të keni një rrugë shkarkimi të stresit në mënyrë që mos të lejoni të mblidhet gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Një opsion i shkëlqyer për këtë dhe që ka benefite të tjera shëndetësore është aktiviteti fizik. Të jeni i vetëdijshëm për stresin tuaj dhe të dini ta mbani nën kontroll do bëjë që truri dhe zorrët tuaja të jenë më të lumtura dhe më të shëndetshme.

0 comments
bottom of page