• Trupi dhe Shëndeti

A duhet t’u besojmë ushqimeve që rrisin fertilitetin?


Të zbulojmë së bashku cilat janë ushqimet bazë që çdo mama e ardhshme duhet të shtojë patjetër në dietën e saj


Disa lloje ushqimesh i bëjnë mirë çiftit, por nuk po flasim këtu për ushqimet afrodiziake, por për dietën e fertilitetit, e cila falë shumë studimeve, po bëhet gjithnjë e më e kërkuar dhe shkencërisht e provuar. Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 çift në 5 vuan nga probleme të infertilitetit. Sipas një studimi të fundit të publikuar në revistën mjekësore "'The Lancet", 3 muajt përpara ngjizjes janë thelbësorë për shëndetin e fëmijës dhe janë të lidhura ngushtë me stilin e jetës së prindërve. Nëse dëshironi të keni një fëmijë, më poshtë do t’ju sugjerojmë cilat janë ushqimet që duhet të shtroni në tavolinën tuaj dhe cilat jo.


Fertiliteti dhe peshku.

Nga një studim i kryer nga Revista e Endokrinologjisë Klinike dhe Metabolizmit tek një grup prej 500 çiftesh, rezultoi se kush konsumonte peshk më shumë se dy herë në javë, përveç rritjes së aktivitetit seksual kishte edhe një probabilitet më të lartë për të ngjizur në kohë më të shpejtë (92% kundër 79%). “Benefitet e salmonit dhe merlucit janë të panumërta, falë një kombinimi të jashtëzakonshëm proteinash, vitaminash, mineralesh dhe acidesh yndyrore omega-3. Në fakt, këto të fundit, me sa duket janë më të efektshëm për fertilitetin e çiftit,” komenton Trym Eidem Gundersen, drejtor për Italinë i Këshillit Norvegjez të Ushqimeve të Detit.


Fertiliteti dhe frutat e thata.

Sipas një studimi nga Albert Salas-Huetos i Njësisë së Ushqyerjes së Njeriut në Universitetin Rovira I Virgil di Reus në Spanjë të zhvilluar për 14 javë në 119 meshkuj të shëndetshëm mes 18 dhe 35 vjeç, konsumimi i rregullt i frutave të thata, veçanërisht arrave, bajameve dhe lajthive, të cilat janë burime të çmuara me omega-3, antioksidantë dhe acid folik, ndikon në shtimin e spermatozoidëve duke i bërë atë më të lëvizshëm dhe vitalë.


Fertiliteti – antioksidantët.

“Parandalimi i infertilitetit nis nga stili i jetës. Ushqimet që serviren në tavolinë mund të ndihmojnë në ruajtjen e një shëndeti të mirë të aftësive vetjake riprodhuese. Duhen shmangur yndyrnat e ngopura, të preferohet orizi, makaronat dhe buka integrale, proteinat vegjetale si dhe të konsumohen rregullisht fruta dhe perime. Nga ana tjetër, për meshkujt, këshillohet marrja e antioksidantëve nëpërmjet konsumimit të qershive, çokollatës së zezë, karotave dhe çajit jeshil, të cilat lejojnë të luftojnë stresin oksidativ të shkaktuar nga kolesteroli, diabeti, duhanpirja, stres ky i cili mund të dëmtojë proçesin e spermatogjenezës, ose me fjalë të thjeshta, prodhimin e spermatozoidëve”, këshillon Marina Bellavia, gjinekologe, specialiste ripordhimi në qendrën e fertilitetit ProCrea në Lugano.


Fertitliteti – intolerancat ushqimore.

“Intolerancat ushqimore janë të lidhura ngushtë me aftësinë fertile. Ato mund të shkaktojnë një ulje të probabilitetit të implantimit të embrionit, aborte të përsëritura dhe rritje të dobët të fetusit. Në fakt, konsumimi i ushqimeve të cilat trupi nuk i toleron, provokon një inflamacion kronik, pra një reagim imunologjik të ekzagjeruar i cili mund të jetë i dëmshëm për pjekurinë e vezoreve. Veç kësaj, edhe pse mund të kalojë pa u kuptuar nga pacienti, një problem malabsorbimi mund të çojë në një deficit vitamine D dhe K, hekuri, acidi folik dhe oligo-elementëve jetikë për prodhimin dhe zhvillimin e organeve të fetusit,” shton Bellavia.


Fertiliteti – ushqimet e ndaluara.

Sipas studiuesve të Institutit “Robinson Research” në Universitetin e Adeljades, ushqimet fast-food jo vetëm që dëmtojnë shëndetin në përgjithësi, por shtojnë rrezikun për infertilitet nga 8% në 16%. Bazuar në një studim të fundit të publikuar në revistën "The Lancet", obeziteti, duhani, konsumi i kafeinës dhe alkoolit si dhe ushqyerja e gabuar, veçanërisht në 90 ditët që paraprijnë ngjizjen, mund të ketë efekte negative afatgjata në shëndetin e fëmijës. Duke analizuar zakonet e ushqyerjes së 509 grave, mes 18 dhe 42 vjeç, studiuesit zbuluan se 96% e tyre kishin një nivel të hekurit dhe acideve folike të papërshtatshëm për ecurinë e mbarë të një shtatëzanie. Drita jeshile jepet për kafenë, por duke theksuar që konsumimi i më shumë se pesë filxhanë kafeje në ditë, sipas një studimi danez të Klinikës së Fertilitetit të Aarhus-it, ul me 50% probabilitetin për të patur sukses me një fertilizim in vitro.

0 comments

Kjo faqe është ndërtuar me mbështetjen e Shoqatës Shqiptare të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor "HOPE Albania"

  • Grey Facebook Icon
  • Grey Instagram Icon
  • YouTube - Grey Circle