• Trupi dhe Shëndeti

A ndikon aktiviteti fizik gjatë shtatëzanisë në forcimin e shëndetit të foshnjës?


Sipas një studimi të kryer, gratë që kryejnë aktivitet fizik gjatë shtatëzanisë mund të lindin foshnja me aftësi fizike më të mira.


Studiesit e zbuluan këtë ndryshim tek disa foshnja 1 muajshe: foshnjat, mamatë e të cilave kishin kryer ushtrime të rregullta aerobie gjatë shtatëzanisë kishin aftësi lëvizëse më të mira në krahasim me foshnjat e tjera, mamatë e të cilave s’kishin kryer asnjë aktivitet fizik.


Këto lëvizje përfshinin gjeste të vogla si rrotullimi i kokës, shprehet studiuesja Linda May, profesoreshë në Universitetin e Karolinës.


Cili është kuptimi i këtyre aftësive të para fizike? Sipas May-t, studime të kaluara kanë sugjeruar se foshnjat të cilat i zhvillojnë më shpejt aftësitë e para fizike kanë më shumë gjasa që kur të rriten të bëhen fëmijë “të lëvizshëm”. Kështu që me shumë mundësi aktiviteti fizik gjatë shtatëzanisë ndihmon për të patur fëmijë më aktivë.


Kanë ikur ditët kur u këshillohej grave shtatëzëna të mos lëviznin. Ekspertët tani rekomandojnë që përveç rasteve kur ekzistojnë arsye mjekësore, gratë duhet të kryejnë aktivitet të rregullt fizik me intensitet të mesëm gjatë gjithë periudhës së shtatëzanisë.


Sipas May-t, kjo nënkupton një aktivitet fizik që të jetë i fuqishëm mjaftueshëm për të rritur rrahjet e zemrës dhe nxitur qarkullimin e gjakut, por mos të jetë aq i fortë sa t’ju lërë pa frymë.


Një ecje e shpejtë, noti, një shëtitje me biçikletë apo një klasë mesatare aerobie, të gjitha këto janë aktivitete fizike që përshtaten më së miri.


Studimet kanë zbuluar shumë përfitime të aktivitetit fizik gjatë shtatëzanisë, si për shembull një shtim i shëndetshëm peshe për mamatë e ardhshme dhe ulje të rrezikut për lindje të parakohshme apo makrozomi të fetusit, e cila ndodh kur një foshnje është tepër e madhe dhe nevojitet kryerja e operacionit për ta lindur.


Për studimin e ri, ekipi i May-t zhvilloi kërkime nëse benefitet e aktivitetit fizik preknin edhe aftësitë lëvizëse të foshnjes.


Studiuesit caktuan në mënyrë rastësore 71 gra me shtatëzani të shëndetshme në dy grupe të ndryshme. Grupi i parë përfshinte kryerjen e 3 seancave aerobie në javë për rreth një orë. Gratë shtatëzëna pjesëmarrëse në këtë grup mund të përdornin pistën e vrapimit, biçikletën ose stepin, ose thjesht të zhvillonin ushtrimet e aerobisë.


Gratë në grupin e dytë, i quajtur “grupi i kontrollit” ishin të kufizuara në kryerjen e ushtrimeve me intensitet të lehtë dhe mund të merrnin pjesë në seanca të mbikqyrura ushtrimesh streçingu si dhe ushtrime për frymëmarrjen.


1 muaj pas lindjes së foshnjave të tyre, një terapist fizik kontrolloi aftësitë e tyre fizike. Rezultoi se foshnjat që kishin lindur nga mamatë e grupit të parë kishin aftësi pak më të mira, edhe pse të gjitha foshnjat kishin lindur brenda niveleve mesatare të zhvillimit.


Arsyes se pse aktiviteti fizik i nënës mund të ketë patur rëndësi, studiuesit u përgjigjen me disa mundësi: ushtrimet fizike mund të ushqejnë zhvillimin e trurit të fetusit duke nxitur qarkullimin e gjakut dhe oksigjenit në mitër. Gjithashtu, aktiviteti fizik mund të ndihmojë në rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm përmes çlirimit të proteinave të quajtura faktorë të rritjes.


Megjithatë, në këtë studim, benefitet më të mëdha nga aktiviteti fizik i kishin foshnjat e seksit femër. Mesatarisht, foshnjat e seksit mashkull kishin rezultate disi më të larta se foshnjat femra si dhe diferencat mes foshnjave meshkuj të lindur nga mamatë e të dy grupeve ishin shumë të vogla.


Studimi nuk mund të japë një përgjigje pse ndodh kjo. Por May u shpreh se aktiviteti fizik para lindjes mund të ketë më shumë benefite për foshnjat e seksit femër për sa i përket aftësive lëvizëse.


Një studiues i cili nuk u përfshi në studimin e May-t ofroi disa sugjerime në lidhje me rezultatet.


Së pari, është e paqartë se çfarë mund të sjellin më vonë në jetë këto diferenca të vogla të vëzhguara tek disa foshnja 1 muajshe, u shpreh James Pivarnik, drejtor i Qendrës së Shëndetit dhe Aktivitetit Fizik në Universitetin e Miçiganit.


Është gjithashtu e paqartë nëse aktiviteti fizik është arsyeja e vetme e diferencave mes grupeve. Ka faktorë të tjerë, si ushqyerja, të cilat nuk janë llogaritur në studim, shprehet Pivarnik. Gratë shtatëzëna që morën pjesë në grupin e parë, pra në grupin e aktivitetit fizik, shtuan më shumë peshë, një mesatare rreth 6 kg më shumë. Kjo është një surprizë e pashpjegueshme, shprehet më tej Pivarnik.


Veç kësaj, shtoi ai, ky studim nuk mblodhi asnjë detaj mbi peshën e lindjes, një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e foshnjës.


Gjithsesi, Pivarnik u shpreh se është e rëndësishme të kryhen studime të tilla që gërmojnë gjithmonë e më shumë në lidhje me efektet që mund të kenë ushtrimet fizike para lindjes në zhvillimin e foshnjave. Dhe rezultati i këtij studimi mbështet atë që shumica rekomandojnë.

“Mendoj që mesazhi për gratë shtatëzëna është që nëse jeni duke kryer aktivitet fizik, mos ndaloni”, theksoi Pivarnik. “Dhe nëse nuk po kryeni aktivitet fizik, duhet të filloni menjëherë.”

Udhëzimet e ndryshme sugjerojnë që gratë duhet të përpiqen të kryejnë rreth 150 minuta aktivitet mesatar fizik në javë, shprehet May. Ky aktivitet mund të shpërndahet nga 3 në 7 ditë në javë.

0 comments

Kjo faqe është ndërtuar me mbështetjen e Shoqatës Shqiptare të Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor "HOPE Albania"

  • Grey Facebook Icon
  • Grey Instagram Icon
  • YouTube - Grey Circle