top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Cigaret elektronike: Sa të sigurta janë?


San Francisco është qyteti i parë në Amerikë që ndalon me ligj shitjen e cigareve elektronike. Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, ato përdoren nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë për të ndihmuar duhanpirësit të lënë duhanin. Atëherë cila është e vërteta mbi sigurinë e cigareve elektronike?


Si funksionojnë cigaret elektronike?


Ato funksionojnë duke ngrohur një lëng që përmban kryesisht nikotinë, glikol propileni dhe / ose glicerinë vegjetale dhe aromatizues. Përdoruesit thithin avullin që prodhohet, i cili përmban nikotinë, substanca që i bën njerëzit të varur nga duhani.


Por në fakt nikotina është relativisht e padëmshme, krahasuar me disa prej kimikateve helmuese që përmban tymi i cigares, siç është katrani dhe monoksidi i karbonit. Nikotina nuk shkakton kancer, ndryshe nga duhani në cigaret normale i cili vret me mijëra duhanpirës çdo vit.


Për këtë arsye, terapia e zëvendësimit të nikotinës në formën e çimçakëzit, ankerplastit dhe spray-ve të ndryshëm, është përdorur prej shumë vitesh nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë për t’i ndihmuar njerëzit të lënë duhanin.


A ka rrezik?


Doktorë, ekspertë të shëndetit publik dhe shoqata bamirësie të mbrojtjes ndaj kancerit në Mbretërinë e Bashkuar janë të gjithë dakord se bazuar në provat aktuale, cigaret elektronike mbartin vetëm një pjesë të rrezikut në krahasim me cigaret normale. Një studim i pavarur arriti në përfundimin se cigarja elektronike ishte rreth 95% më pak e dëmshme se cigarja normale. Një nga profesorët që e udhëhoqi këtë studim u shpreh se cigaret elektronike mund të jenë një risi revolucionare në shëndetin publik.


Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ato janë plotësisht të parrezikshme.


Lëngu dhe avulli tek cigaret elektronike mund të përmbajnë disa kimikate të dëmshme që gjenden gjithashtu në tymin e cigares, por në nivele shumë më të ulta.


Në një studim të hershëm në laborator, shkencëtarët britanikë kanë zbuluar se avulli mund të çojë në një ndryshim të qelizave imune të mushkërive.


Është ende herët për të përcaktuar dëmin që shkakton në shëndet përdorimi i cigares elektronike, por ekspertët pranojnë që ai është shumë më i ulët në krahasim me cigaren normale.


A është avulli i dëmshëm?


Aktualisht nuk ka asnjë provë që avulli i prodhuar nga cigaret elektronike të jetë i dëmshëm për njerëzit e tjerë. Krahasuar me dëmet e provuara të tymit të cigares tek duhanpirësit pasivë, rreziku për shëndetin nga cigaret elektronike është i papërfillshëm.


A ka rregulla mbi përmbajtjen e cigares elektronike?


Mbretëria e Bashkuar zbaton rregulla më strikte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi përmbajtjen e cigareve elektronike. Për shembull, për të qenë më të sigurt, përmbajtja e nikotinës është e mbuluar, ndërkohë që në Amerikë nuk është e tillë.

Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar ka rregulla më të forta mbi reklamimin e tyre, vendin ku shiten dhe kujt i shiten. Për shembull, ndalohet shitja e cigareve elektronike për personat nën moshën 18 vjeç.


A po vepron ndryshe Mbretëria e Bashkuar në krahasim me vendet e tjera të botës?


Mbretëria e Bashkuar po ndërmerr një qasje shumë të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsa i përket cigareve elektronike, por pozicioni i saj është i ngjashëm me atë të Kanadasë dhe Zelandës së Re.


Qeveria britanike e shikon përdorimin e cigareve elektronike si një vegël të rëndësishme që mund t’i ndihmojë duhanpirësit të heqin dorë nga ky ves, madje Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë po konsideron t’i japë falas ato për personat që duan të lënë duhanin.


Kështu që nuk ka asnjë mundësi që të ndalohet shitja e cigareve elektronike, siç po ndodh në San Francisco.


Fokusi kryesor është parandalimi i përdorimit të cigares elektronike nga të rinjtë më shumë se sa ulja e numrit të njerëzve që pinë duhan.


Një raport i fundit i Institutit të Shëndetit Publik në Angli konfirmoi se lënia e cigares ishte arsyeja kryesore që njerëzit përdornin cigaret elektronike. Gjithashtu në këtë raport thuhet se nuk ka asnjë provë se përdorimi i tyre shërben si një portë për të rinjtë për të filluar cigaren.


Një eksperte e njohur britanike për parandalimin e kancerit shprehet se provat e përgjithshme tregojnë se cigaret elektronike në të vërtetë po i ndihmojnë njerëzit të lënë cigaren.


Gjasat janë që Mbretëria e Bashkuar t’i lehtësojë rregullat në lidhje me cigaret elektronike.


Me normat e pirjes së duhanit që kanë rënë në 15% në Mbretërinë e Bashkuar, një komision i parlamentit ka sugjeruar lehtësimin e rregullave mbi përdorimin e cigareve elektronike në disa godina si dhe në transportin publik.


0 comments
bottom of page