top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Dehidratimi dhe ushqyerja: kujdesuni për zemrën tuaj gjatë verës!


Zemra: pse vuan gjatë verës?


Për shkak të temperaturave të larta të stinës së verës duket sikur zemra jonë lodhet më shumë: marrja e frymës dhe takikardia e herëpashershme na vendosin në alarm. Në të vërtetë, thekson Dr. Oreste Febo, kardiolog, i nxehti nuk shkakton shfaqjen e sëmundjeve kardiake. Personat të cilët vuajnë paraprakisht nga probleme kardiake duhet të bëjnë më tepër kujdes gjatë verës. Ekspozimi ndaj temperaturave të larta i njerëzve që vuajnë nga zemra, veçanërisht i të moshuarve, shkakton dehidratim të tepërt dhe zgjerim të arterieve.


Rënia e tensionit: pse ndodh?


Dehidratimi i tepërt dhe zgjerimi i arterive mund të shkaktojnë rënie të tensionit, probleme me funksionimin e veshkave dhe ndryshime të mëdha në përmbajtjen e kripërave minerale të trupit. “Shpesh ata që kanë probleme kardiake marrin ilaçe të cilat ndikojnë negativisht duke përkeqësuar problemet e cituara më lart. Kjo është arsyeja pse edukimi shëndetësor është thelbësor dhe i lejon mjekut t’i japë pacientit informacionet e nevojshme për zvogëlimin e rreziqeve që lidhen me marrjen e ilaçeve të caktuara në periudha të veçanta të vitit” sugjeron Dr. Febo.


Pasojat e rënies së tensionit


Për njerëzit që vuajnë nga hipertensioni dhe për ata që marrin ilaçe për zgjerimin e arterieve të gjakut të cilat ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, kardiologu sugjeron matjen e tensionit në mënyrë më të shpeshtë dhe konsultim me mjekun për rishikimin e dozave të ilaçeve . “Në fakt, rënia e tensionit është e rrezikshme, veçanërisht tek njerëzit që vuajnë rregullisht nga këto probleme dhe tek të moshuarit, pasi mund të shkaktojë trauma të ndryshme si për shembull thyrjen e kockës së femurit nga një humbje ekulibiri apo rrëzim.”


Rëndësia e ushqyerjes dhe konsumimit të ujit në mënyrë korrekte


Edhe ushqyerjes i duhet kushtuar një rëndësi më e madhe. Këshilla për të pirë më shumë ujë mbetet e vlefshme, por duhet patur kujdes, sidomos personat që vuajnë nga insufiçienca kardiake. “Për shembull, shpjegon Febo, nëse konsumohet me shumicë shalqi, është e njëjta gjë si të kesh konsumuar shumë ujë. Prandaj raporti i lëngjeve të marra në krahasim me ato të humbura duhet të jetë gjithmonë në ekuilibër. Në këtë mënyrë, është e rëndësishme që pesha trupore të kontrollohet çdo ditë dhe në disa raste, edhe sasia ditore e urinës”. Për sa i përket ushqimeve të ngurta, Febo këshillon të hahet pak dhe shpesh. “Vaktet me sasi të mëdha ushqimi e lodhin zemrën e cila duhet të punojë më shumë në mënyrë që trupi ta tresë atë”.


Det apo mal?


Për njerëzit që vuajnë nga problemet kardiake, në kushte klinike të qëndrueshme dhe që ende nuk i kanë planifikuar pushimet e tyre, Dr. Gaetano Pini, kardiolog, shprehet se nuk ka një rregull të caktuar për zgjedhjen e detit apo malit për të pushuar. “Kush zgjedh detin, duhet të dalë në diell vetëm në orët e mëngjesit dhe të pasdites vonë, duke shmangur në këtë mënyrë orët më të nxehta; ndërsa ata që preferojnë malin duhet të kenë kujdes të qëndrojnë në lartësi të ulta. Në lartësinë mbi 1500 m ajri fillon të rrallohet dhe kjo mund të shkaktojë dispne, ose e thënë ndryshe vështirësi në frymëmarrje, çka shkakton lodhjen e zemrës dhe muskujve të saj edhe në kryerjen e lëvizjeve më të lehta.”

0 comments
bottom of page