- Trupi dhe Shëndeti
Frakturat e kërcirit dhe menaxhimi i tyre.
Frakturat e kërcirit (thyerja e këmbës) janë ndër frakturat më të zakonshme të gjymtyrëve të poshtme.
Mosha mesatare e atyre që pësojnë frakturë të tibies është 37 vjec, 31 për meshkujt dhe 54 për femrat. Shpeshtesia më e lartë vërehet në meshkujt 15 –19 vjeç. Gjithashtu një rritje e frekuencës së këtyre frakturave vërehet në femrat mbi 80 vjeç si pasojë e osteoporozës.
Shkaqet më të shpeshta të këtyre frakturave janë aksidentet automobilistike, goditjet me armë zjarri, rëniet nga lartesitë dhe dëmtimet sportive ( vrapi, rrëzimet apo sportet e ndryshme).
Shenjat tipike të këtij dëmtimi janë:
· dhimbje që përkeqësohet me lëvizjen
· enjtje
· ndjeshmëri e lartë në prekje
· mavijosje
· deformim i dukshëm i këmbës së dëmtuar
· paaftësi për të ecur apo lëvizur
· plagë e hapur ose jo në varësi të llojit të thyerjes
· gjymtyrë e ftohtë, e zbehtë dhe e mpirë.
Diagnoza e këtij dëmtimi përmbledh një sërë komponentësh. Rol të madh luan anamneza e pacientit, ekzaminimi i tij objektiv me inspeksion (ajo cfarë shohim),palpacioni (ajo cfarë prekim) dhe më e rëndësishmja, imazheria. Radiografia padyshim përbën një mjet të fuqishëm në përcaktimin e diagnozës (lloji i frakturës dhe zhvendosja e fragmenteve) dhe trajtimit të frakturave të kërcirit. Duhet aplikuar në dy plane: anteroposterior dhe latero – lateral. Gjithashtu radiografia përdoret për ndjekjen e ecurisë së frakturës deri në shërimin e saj.CT dhe RMI nuk kanë ndonjë rol të madh, vetëm nëse grafia nuk na ka dhënë mjaftueshëm informacion për frakturën. RMI është shumë e ndjeshme ndaj dëmtimeve të indeve të buta dhe ligamenteve.
Po cfarë duhet të bejmë nëse jemi dëshmitar të një rasti të tillë?
Secili prej nesh duhet të jetë në gjendje të ofrojë ndihmën e parë. Nëqoftëse fraktura është e shoqëruar me plagë rreth e qark aplikohet ICE: I-vendoset akull jo direkt mbi lëkurë C- shtypet mbi vendin ku rrjedh gjaku me qëllim që të ndalohet gjakderdhja dhe E- mbahet gjymtyra e ngritur . Për asnjë arsye nuk lëvizet këmba e dëmtuar.
Nëqoftëse fraktura është pa asnjë shenjë plage në lëkurë, atëherë ajo vihet në vend me duar dhe mbahet e fiksuar, e palëvizur derisa të vijë ndihma e specializuar. Kjo ndihmë e parë është e rëndësishme për trajtimin e mëvonshëm, sepse ndalon dëmtime të tjera te këmbës dhe përkeqësimin e atyre aktuale. Ky informacion nuk është i rëndësishëm vetëm për personat që merren me sporte, por për të gjithë ne, sepse secili prej nesh mund të ndodhet në një situatë të tillë ku duhet të japë ndihmën e parë. Trajtimi i mëtejshëm i këtyre thyerjeve i takon specialistit ortoped. Ky trajtim mund të jetë ose me gips (allci) ose me me kirurgji. Por kjo varet nga faktorë të tjerë te lidhur me dëmtimin dhe zgjedhjen e specialistit.
