top of page
  • adagashi

Gjakderdhja nga hunda (epistaksis) dhe trajtimi i saj.




Gjakderdhja nga hunda , ose siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësorë,epistaksis , është një fenonem i shpeshtë që shfaqet në të gjitha grupmoshat por më shumë te femijët dhe të moshuarit. Ky fenomen, rrallë është kërcënues për jetën, por mund të shkaktojë shqetësim të madh në mënyrë të veçantë për prindërit kur kjo u ndodh fëmijëve në mosha të vogla. Zakonisht këto fenomene hemorragjike janë spontane dhe ndërpriten vetvetiu, por jo në pak raste mund të jenë të përsëritura.


Organi i hundës ka një furnizim të pasur me enë gjaku, si në thellësi të saj, ashtu edhe në sipërfaqen e mukozës. Për këtë arsye mukoza e hundës dëmtohet lehtë duke u bërë kështu mjaft e ndjeshme ndaj fenomeneve hemorragjike. Gjakderdhjet zakonisht ndodhin kur mukoza e hundës është e dëmtuar. Më të shpeshta dhe më të lehta nga pikëpamja e rrezikut janë hemorragjitë e pjesës së përparme të kavitetit të hundës (kavitetit nasal). Hemorragjitë e murit të pasëm të zgavrës së hundës janë zakonisht më të fuqishme për sa i përket gjakrrjedhjes dhe shpesh janë me origjinë nga enë të mëdha të gjakut. Këto lloj hemorragjish paraqesin një rrezik më të madh për pacientin, ndaj dhe kujdesi në këto raste duhet të jetë maksimal, e gjendja të mos neglizhohet me idenë se mund të kalojë vetvetiu.


Cilat janë shkaqet e epistaksit?


Shkaqet e epistaksis mund të ndahen në shkaqe lokale (trauma, acarimi i mukozës, anomali të septumit ndarës të kavitetit të hundës, sëmundjet infeksioze, tumoret) dhe shkaqe sistemike (siç janë sëmundje të ndryshme të gjakut të trashëguara ose të fituara, arterioskleroza) dhe shkaqet idiopatike (të panjohura). Trauma lokale është shkaku më i zakonshëm i epistaksis. Kjo vjen si rezultat i goditjeve apo dëmtimeve të ndryshme në fytyrë, i futjes së trupave të huaj në hundë, i thithjes (inhalimi) për një periudhë të gjatë i ajrit të thatë (qëndrimi me orë të zgjatura në ambiente të kondicionuara) apo edhe i substancave të ndryshme irrituese.


Mjaft të predispozuar janë edhe personat që vuajnë nga infeksionet e shpeshta të sinuseve, apo edhe të aparatit të sipërm respirator (rrugët e sipërme të frymëmarrjes). Me risk të lartë për epistaksis janë edhe pacientët që vuajnë nga riniti alergjik, hipertensioni, çrregullimet e koagulimit të gjakut apo edhe sëmundje të tjera hematologjike. Nëse gjakderdhja vjen si rezultat i dëmtimeve të vogla të mukozës, fenomeni kufizohet shpejt dhe ndalon në mënyrë spontane. Ndërsa traumat, apo goditjet e gjera të fytyrës mund të shkaktojnë gjakderdhje të rënda dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Gjithashtu edhe devijacionet e murit ndarës të hapësirës hundore çojnë në thatësi të mukozës dhe epistaksis, si rezultat i çrregullimit të ajrosjes normale të kavitetit të hundës.


Por cilat janë mënyrat më efikase për të ndalur gjakderdhjen?


Ushtroni presion të fortë me gishta për 5 ose 10 minuta .Zakonisht gjakderdhjet e hundës ndalin brenda pak minutash .Kjo është mënyra më e lehtë dhe më efikase për të ndaluar gjakderdhjen e hundës.Mundohuni të qendroni shtrirë me kokën e përkulur para ,ndërsa gojën duhet ta mbani hapur për të mos lejuar gëlltitjen e gjakut.Ecuria e këtij problemi zakonisht është e mirë dhe evitohet në mënyrë spontane.


Dekongjestanët (sprajet nazale) mund të përdoren në këto raste


Sprajet nazale mund të përdoren për të ndalur gjakderdhjen duke bëre ngushtimin e enëve të gjakut të hundës.Pasi keni aplikuar sprajin nazal prisni për 15 minuta dhe ushtroni presion të fortë në hundë.


Përdorni kompresa akulli


Përdorimi i akullit ndihmon mjaft duke freskuar zonën e gjakderdhjes. Ftohja e zonës ku aplikohet akulli ka efektin e vazokonstruktorit ,pra duke ndalur qarkullimin e gjakut akulli bën më të lehtë mpiksjen e gjakut në atë zonë.


Nëse gjakderdhja zgjat më shumë se 20 minuta atëherë ju duhet të kërkoni ndihmën e specializuar pranë qendrës më të afërt mjekësore.Nëse gjakderdhja është pasojë e ndonjë aksidenti rrugor apo ndonjë trauma tjetër ju nuk duhet të humbni kohë për të kërkuar ndihmë urgjente.


.

Këshillat e rekomanduara për pacientët:


· Personat që vuajnë nga alergjitë ose infeksionet e shpeshta të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes u rekomandohet të përdorin lavazhe të shpeshta të hundës me solucione kripore fiziologjike.

· Gjatë teshtitjes duhet të mbani gojën hapur që të ulet presioni në hapësirën e hundës.

· Dushet nuk duhen bërë me ujë të nxehtë.

· Mos e ngacmoni hundën me gishta.

· Gjatë gjakderdhjes ushtroni presion të fortë me gishta për 5 deri në 10 minuta.

· Përdorni kompresa me akull në zonën e dëmtuar dhe merrni frymë thellë.

· Nëse hemorragjia vazhdon, mos hezitoni të kërkoni ndihmën e mjekut.

· Kur jeni duke marrë preparate për hollimin e gjakut apo qetësues dhimbjesh siç është ibuprofeni, këshillohuni patjetër me mjekun tuaj për rivlerësimin e terapisë.

· Në rastet e shfaqjes së gjakderdhjes nga hunda, pacienti duhet të qëndrojë shtrirë me kokën të përkulur përpara, ndërsa gojën duhet ta mbajë hapur për të mos lejuar gëlltitjen e gjakut.

· Ecuria e këtij problemi në përgjithësi është e mirë dhe në shumicën e rasteve evitohet në mënyrë spontane. Për fat të mirë, vdekshmëria është e rrallë dhe ndodh për shkak të komplikacioneve.

· Megjithatë, në jo pak raste problemi mund të jetë i rrezikshëm për jetën, sidomos në pacientët e moshuar, si dhe në ata pacientë me problem sistemike.






0 comments
bottom of page