- Trupi dhe Shëndeti
Gurët në veshka,si mund të trajtohen?
Gurët e veshkave mund të krijohen tek njëra veshkë ose tek të dyja dhe prekin më shpesh personat e moshës 30 deri në 60 vjeç.Janë shumë të zakonshme , rreth 3 në 20 meshkuj dhe 2 në 20 gra kanë gurë në veshka në një fazë të jetës së tyre. Termi mjekësor për gurët në veshka është nephrolithiasis, ndërsa ato që shkaktojnë dhimbje të forta njihen si kolika renale.
Veshkat
Veshkat janë dy organe në formën e fasules,me madhësi rreth 10cm .Ato janë të vendosura në pjesën e pasme të barkut në anën e shpinës.Veshkat janë të domosdoshme për funksionimin e sistemit urinar dhe kryejnë edhe funksione homeostatike të tilla si rregullimin e elektroliteve dhe rregullimin e presionit të gjakut (përmes ruajtjes së balancit kripë -ujë ).Gjithashtu ato i shrbejnë trupit jo vetëm si një filtrues natyral i gjakut por edhe për heqjen e mbeturinave të cilat shmangen përmes fshikëzës së urinës.
Simptomat e gurëve në veshka
Gurët e vegjël të veshkave mund të mos zbulohen dhe shpesh kalojnë përmes urinës pa dhimbje. Por është mjaft e zakonshme që një gur të bllokojë edhe pjesë të sistemit urinar, siç janë :
· ureteri - tubi që lidh veshkën me fshik ëzën
· uretra – tubi i urinës
Një bllokim i tillë mund të shkaktojë dhimbje të forta në bark ose në ijë dhe ndonjëherë edhe infeksion të traktit urinar (UTI).
Nga se shkaktohen gurët në veshka?
Mbetjet në gjak mund të krijojnë herë pas here kristale në pjesën e brendshme të veshkave. Me kalimin e kohës, kristalet mund të ndërtojnë një pllakë të fortë guri.
Kjo ka më shumë gjasa të ndodhë nëse nuk pini lëngje të mjaftueshme, nëse jeni duke marrë disa lloje të caktuara ilaçesh ose nëse keni një gjendje mjekësore që ngre nivelin e disa substancave të caktuara në urinë.
Pas formimit të një guri veshkash, trupi juaj do të përpiqet ta nxjerrë atë kur të shkoni në tualet (përmes urinës). Kjo do të thotë që gurët shpesh udhëtojnë në sistemin urinar (veshkat, tubat e veshkave dhe fshikëzën).
Trajtimi dhe parandalimi i gurëve në veshka
Shumica e gurëve të veshkave janë mjaftueshëm të vegjël për të kaluar në urinën tuaj dhe është i mundur trajtimi i simptomave në shtëpi me ilaçe.Gurët e mëdhenj mund të kenë nevojë të shkëputen duke përdorur ultratinguj ose lazer. Herë pas here, kirurgjia me laparoskopi mund të jetë e nevojshme për të hequr gurët e mëdha të veshkave.
Është konstatuar se gjysma e njerëzve që kanë pasur gurë në veshka i përjetojnë ato përsëri brenda pesë viteve të ardhëshme.Për të shmangur gurët në vëshka, sigurohuni të pini sa më shumë ujë çdo ditë, në mënyrë që të mos jeni të dehidratuar. Sigurohuni që urina juaj të qëndrojë e hollë (e tejdukshme), për të parandaluar mbetjet të formojnë gurë në veshka.
