- Trupi dhe Shëndeti
Hepatiti:llojet e tij dhe kujdesi që duhet të tregojmë
Hepatiti,është termi që përdoret për të përshkruar inflamacionin e mëlçisë.Zakonisht është rezultat i një infeksioni viral ose dëmtimit të mëlçisë të shkaktuar nga pirja e vazhdueshme e alkolit.Ka disa lloje të ndryshme të hepatitit, shumica e të cilave janë përshkruar më poshtë.
Disa lloje kalojnë pa ndonjë problem serioz, ndërsa të tjerët mund të jenë afatgjatë (kronikë ) dhe të shkaktojnë cirrozë, humbje të funksionit të mëlçisë dhe në disa raste kancerin e saj.
Simptomat e hepatitit
Hepatiti afatshkurtër (akut) shpesh nuk ka simptoma të dukshme, prandaj shpesh është e vështirë për ta kuptuar nëse e keni atë.
Nëse simptomat shfaqen, ato mund të përfshijnë:
· dhimbje të muskujve
· temperaturë të lartë mbi 38 gradë celsius
· të përziera
· ndjesinë e lodhjes gjatë gjithë kohës
· një ndjesi e përgjithshme e të mos ndjerët mirë
· humbjen e oreksit
· dhimbje të barkut
· urinë e errët
· jashtëqitje me ngjyrë gri të zbehtë
· skuqje të lëkurës
· zverdhje të syve dhe lëkurës (verdhëz)
Konsultohuni me mjekun tuaj nëse keni ndonjë simptomë të vazhdueshme ose shqetësuese që mendoni se mund të shkaktohet nga hepatiti.
Hepatiti afatgjatë (kronik) gjithashtu mund të mos ketë ndonjë simptomë të dukshme derisa mëlçia të mos funksionojë siç duhet dhe mund të kuptohet vetëm gjatë testeve të gjakut.
Në fazat e mëvonshme kjo sëmundje mund të shkaktojë verdhëz, ënjtje të këmbëve, nyjeve, konfuzion dhe gjak në feçe ose të vjella.
Hepatiti A
Hepatiti A shkaktohet nga virusi i hepatitit A. Zakonisht merret si rezultat i konsumimit i ushqimit dhe pijeve të kontaminuara me jashtëqitjen e një personi të infektuar dhe është më i zakonshëm në vendet ku higjiena është e dobët.
Hepatiti A zakonisht kalon brenda pak muajve, edhe pse ndonjëherë mund të jetë i rëndë dhe madje edhe kërcënues për jetën. Nuk ka trajtim të veçantë për të, përveç lehtësimit të simptomave të tilla si dhimbje, të përziera dhe kruajtje.
Vaksinimi kundër hepatitit A rekomandohet nëse:
· jeni në rrezik të lartë infeksioni ose keni pasoja të rënda të infeksionit
· jeni duke udhëtuar në një zonë ku virusi është i zakonshëm, siç është nënkontinenti indian, Afrika, Amerika Qendrore dhe Jugore, Lindja e Largët apo Europa Lindore.
Hepatiti B
Hepatiti B shkaktohet nga virusi i hepatitit B, i cili është i përhapur në gjakun e një personi të infektuar.
Është një infeksion i zakonshëm në mbarë botën dhe zakonisht përhapet nga gratë shtatzëna të infektuara tek foshnjat e tyre. Në raste të rralla, ajo mund të përhapet përmes seksit të pambrojtur dhe përdorimit të shiringave të përbashkëta.
Shumica e të rriturve të infektuar me hepatit B janë në gjendje të luftojnë virusin dhe të shërohen plotësisht nga infeksioni brenda disa muajve.
Megjithatë, shumica e njerëzve të infektuar mund të zhvillojnë një infeksion afatgjatë. Ky njihet si hepatiti B kronik dhe mund të çojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Medikamentet antivirale mund të përdoren për ta trajtuar atë.
Hepatiti C
Hepatiti C shkaktohet nga virusi i hepatitit C dhe është lloji më i zakonshëm i hepatitit viral në Britaninë e Madhe. Zakonisht përhapet përmes kontaktit gjak me gjak me një person të infektuar.
Në Mbretërinë e Bashkuar, është më i përhapur përmes shpërndarjes së gjilpërave që përdoren për të injektuar llojet e ndryshme të drogë rave. Praktikat e dobëta të kujdesit shëndetësor dhe injeksionet mjekësore të pasigurta janë mënyrat kryesore për përhapjen e këtij virusi.
Hepatiti C shpesh nuk shkakton simptoma të dukshme, ose vetëm simptoma të ngjashme me atë të gripit, kështu që shumë njerëz nuk janë në dijeni se janë të infektuar.
Rreth një në katër persona e luftojnë infeksionin dhe çlirohen prej tij . Në rastet e mbetura, ai do të qëndrojë në trup për shumë vite. Ky njihet si hepatiti C kronik dhe mund të shkaktojë cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Hepatiti C kronik mund të trajtohet me ilaçe shumë efektive antivirale, por aktualisht nuk ka vaksinë në dispozicion.
Hepatiti D
Hepatiti D shkaktohet nga virusi i hepatitit D. Ai prek vetëm njerëzit që janë të infektuar me hepatitin B, pasi ka nevojë për virusin e hepatitit B që të jetë në gjendje të mbijetojë në trup.
Hepatiti D zakonisht përhapet përmes kontaktit gjak me gjak ose kontaktit seksual.
Infeksioni afatgjatë me hepatitin D dhe hepatitin B mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të problemeve serioze, siç është cirroza dhe kanceri i mëlçisë.
Nuk ka vaksinë posaçërisht për hepatitin D, por vaksina e hepatitit B mund të ndihmojë në mbrojtjen ndaj tij.
Hepatiti E
Hepatiti E shkaktohet nga virusi i hepatitit E. Numri i rasteve në Europë është rritur gjatë viteve të fundit .Virusi është i shoqëruar kryesisht me konsumin e mishit të derrit apo të brumit të papërpunuar ose të pa gatuar, por edhe me mishin e derrit të egër, mishin e drerit dhe midhjeve.
Hepatiti E është përgjithësisht një infeksion i lehtë dhe afatshkurtër që nuk kërkon ndonjë trajtim, por mund të jetë serioz në disa persona që kanë një sistem imunitar të dobët.
Nuk ka vaksinë për hepatitin E. Kur udhëtoni në vende të botës me kanalizim të dobët, ku hepatiti E epidemik mund të jetë i zakonshëm, mund të zvogëloni rrezikun duke u përkujdesur për higjienën e ushqimit dhe ujit që konsumoni.
Hepatiti alkolik
Hepatiti alkolik është një lloj hepatiti që shkaktohet nga konsumimi i alkolit të tepërt përgjatë viteve.
Shumë persona nuk e kuptojnë që janë të prekur , sepse zakonisht nuk shkakton ndonjë simptomë, edhe pse mund të shkaktojë verdhëz papritur dhe dështim të mëlçisë.
Ndalimi i alkolit mund të përmirësojë gjendjen tuaj, por nëse vazhdohet me konsumimin e tepërt të alkolit, ekziston rreziku për cirrozë apo edhe kancer të mëlçisë.
Ju mund të zvogëloni rrezikun e zhvillimit të hepatitit alkolik duke kontrolluar sasinë e alkolit qe pini.
Hepatiti autoimun
Hepatiti autoimun është një shkaktar i rrallë i hepatitit afatgjatë në të cilin sistemi imunitar sulmon dhe dëmton mëlçinë.
Si përfundim, mëlçia mund të jetë aq e dëmtuar saqë ndalon së funksionuari.
Trajtimi për hepatitin autoimun përfshin ilaçe shumë efektive që ndihmojnë sistemin imunitar dhe reduktojnë inflamacionin.
Nuk është e qartë se çfarë e shkakton hepatitin autoimun dhe nuk ka akoma një kurë për të parandaluar atë.
