- Trupi dhe Shëndeti
Dieta për Festa – Këshilla për të mos u shëndoshur
Updated: Jan 7, 2019
Duket se, mesatarisht, gjatë sezonit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri secili prej nesh shëndoshet duke shtuar 4 deri në 5 kile. Ky nuk është një lajm i mirë, por nga ana tjetër është gati e pamundur ti rezistosh gatimeve dhe ëmbëlsirave që qarkullojnë nëpër shtëpi dhe kjo jo vetem gjatë ditës së festës. Megjithatë disa ndryshime edhe mund të bëhen, ndoshta duke zvogëluar ose djegur kaloritë e marra me tepricë në mënyrë të atillë që edhe pas festave të kemi një formë sa më të mirë dhe mos të detyrohemi që ti futemi dietave. Pra, ne kemi menduar disa këshilla që ti zbatoni këto ditë festash:
1. Lëvizni, në zyrë, shtëpi apo diku tjetër. Përpiquni të ecni sa më shumë dhe të mos të rrini gjithmonë ulur. Më mirë ngjisni shkallët se sa të merrni ashensorin, parkoni më larg shtëpisë në mënyrë që të ecni më shumë për të arritur në destinacion. Nëse keni një qen dhe e nxirrni atë për shëtitje, mundohuni që xhiron ta bëni sa më të gjatë të mundeni ose kryeni 30 minuta aktivitet fizik në ditë ku mund të përfshihet : xhiro me bicikletë, vrap, ecje e shpejtë etj.
2. Ushqimi i ditës: përpara drekës ose përpara darkës do ishte mirë të hanit një frut, në mënyrë që të ndiheni disi më të ngopur. Mos e anashkaloni kurrë mëngjesin, mos e ekzagjeroni me salcat dhe mos përfitoni nga ushqimet e mbetura.
3. Ëmbëlsira: do të ishte shumë mirë nëse do të refuzonit ëmbëlsira që ju jepen përpara ditëve të festave në mënyrë të atillë që këtë kënaqësi ta shfrytëzoni vetëm ditën e festimit. Mos blini ëmbëlsira ose fruta të thata në të kundërt tundimi do jetë tepër i madh kur ato ti keni gjatë gjithë kohës në shtëpi.
4. Ftesat: nuk është e detyrueshme që ju të pranoni të gjitha ftesat që ju bëhen për drekë apo darkë. Në këtë mënyrë ju mund të evitoni ushqime të pasura me kalori dhe orë të gjata ulur në tryeze.
5. Gatimi: nëse jeni ju ata që do gatuani për Krishtlindje apo Vitin e Ri, mundohuni që të mos provoni cdo gjë që keni në dorë. Hani me kujdes në veçanti ëmbëlsirat, përpiquni që të zëvendësoni disa yndyrna me erza.
