• Trupi dhe Shëndeti

Intervistë me dr. Klaudia Stajka: Deviacioni i septumit nazal.

Updated: Apr 10

Dr. Klaudia Stajka Mjeke specializante ORL dhe kirurgji plastike Nr. Tel: 069 76 93 122


Si fillim cfarë është deviacioni i septumit nazal? Septumi nazal eshte nje kerc qe luan rolin e nje muri te vendosur në mesin e hundës dhe që në kushte normale e ndan atë në dy zgavra të barabarta. Kur ky mur është i zhvendosur në raport me vijën e mesit dhe shkakton zvogëlim të njërës anë apo të të dyja anëve të hundës, themi se kemi devijim të septumit apo shtrembërim të perdes së hundës dhe që prezantohet gjithmonë me vështirësi në frymëmarrje. Mund të jetë i përparëm, i pasëm, në formën e shkronjës C, S, edhe në varësi të shkaqeve nga vjen. Meqë jemi tek shkaqet, cilat janë shkaqet më të shpeshta? Arsyeja kryesore është kongenitale, pra e lindur. Septumi është një kërc që rrethohet nga struktura kockore si lamina perpendikulare e etmoidit, vomeri, kockat nazale, procesi i maksilës. Kur këto strukturat pësojnë një zhvillim jo të njejtë në kurriz të septumit, ndodh shtrembërimi ose devijimi i tij. Arsyeja e dytë më e shpeshtë është trauma, në fëmijëri apo gjatë aktiviteteve të ndryshme sportive si: box, basketball që çojnë në goditje direkte në hundë. Një tjetër arsye mund të jetë hipertrofia e bulës etmoidale apo hipertrofia kompesatore e konkave të cilat janë struktura kockore brenda hundës që mund shkaktojnë komprimim të septumit dhe si pasojë shtrembërim të tij. Kur mund të dyshojë pacienti që vuan nga deviacioni i septumit dhe te drejtohet tek mjeku? Pacienti mund të dyshojë kur sheh hundën e tij në pasqyrë dhe ve re një kurriz jo të drejtë nga jashtë, një kolumele ose ndarëse jo të drejte nga poshtë, vrima asimetrike ose kur pas një traume fillon krejt papritur vështirësia në frymëmarrje. Këto janë rastet kur pacienti mund të dyshojë se vuan nga deviacioni por sigurisht deri këtu mbetemi në kuadër dyshimi, pastaj për të vendosur diagnozën përfundimtare duhet të paraqitemi tek mjeku ORL. Diagnoza vendoset me rinoskopi anteriore ose me CT skaner në rastet kur shtrembërimi është posterior. A është kjo një patologji që mund të përkeqësohet me kohën? Kryesisht jo, por varet edhe nga mosha. Kur shtrembërimi është i pranishëm që në moshë të re (i lindur apo i fituar), ndodh që me rritjen e trupit, të rritet dhe pjesa e shtrembëruar si pjesë e rritjes së strukturave anatomike të hundës. Nga ana tjetër, një gjë e tillë mund të ndodhë dhe në moshat e vjetra. Procesi natyral i hundës është i tillë që ligamentet, kërci dhe strukturat që qëndrojnë të ngjitura me njëra tjetrën të dobësohen me moshën dhe hunda ka tendencë të bjerë apo të preket nga forca e gravitetit. Kur septumi është i devijuar kjo rënie ka tendencë të ekzagjerojë deviacionin ekzistues dhe vështirësia në frymëmarrjen shtohet edhe më shumë. Si mund të shërohemi nga ky shqetësim? Septoplastika është trajtimi i vetëm për devijimin e septumit dhe që siguron përmirësimin e përhershëm të frymëmarrjes. Në varësi të rastit, mund të realizohet dhe zvogëlimi i konkave me radiofrekuencë, sigurisht pa dëmtuar funksionin e tyre që është ngrohja, lagështimi dhe filtrimi i ajrit. Septoplastika është një ndërhyrje kirurgjikale relativisht e lehtë, pacienti është nën anestezi gjenerale dhe nuk ndien apo sheh asgjë. Pasi zgjohet nuk ka asnjë kujtim nga interventi dhe nuk ka asnjë ndryshim në pamje. Pra, as të nxira poshtë syve, as allçi mbi hundë, enjtje apo ndryshim të formës së hundës. E them këtë se shpeshherë septoplastika ngatërrohet me rinoplastikën. Kjo e fundit korrigjon jo vetëm anën funksionale por edhe estetike. Sa kohë mund t'i duhet pacientit për t'iu rikthyer jetës normale pas interventit? Menjëherë pas interventit pacienti ka rrugët e frymëmarrjes më të lira dhe merr frymë më mirë. Për 24-48 orë i duhet të mbajë dy tampona dhe një garzë poshtë hundës, pasi mund të ketë një sasi minimale hemoragjie, gjë që është normale. Pas një jave pacienti mund t'i rikthehet aktivitetit normal pa asnjë problem. Po për ata "frikacakët" e kirurgjisë, a ka ndonjë opsion tjetër mjekimi? Për fat të keq, jo. Mund të arrihet përmirësimi i obstruksionit nazal kur përveç deviaciaonit pacienti mund të ketë edhe konka hipertrofike, rinit alergjik, sinuzit kronik me medikamente të cilat mund të lehtësojnë deri diku vështirësinë në frymëmarrje, si psh antiinflamatorët, vazokonstriktorët, kortizonikët. Por për këtë sigurisht duhet konsulta me mjekun ORL në mënyrë që të arrihen të diskutohen të gjitha planet e mundshme të trajtimit dhe të përcaktohet më e mira për pacientin. Në rast se pacienti ka deviacion por dëshiron të rregullojë edhe pamjen e hundës, çfarë mund t'i këshilloni? Në këtë rast ndërhyrja që i nevojitet është rinoplastika. Plastika e hundës apo rinoplastika ka për qëllim rregullimin funksional dhe estetik, me rezultat një portret me tipare më harmonike. Është shumë e rendësishme të thuhet se ata që vuajnë nga shtrembërimi i perdes së hundës dhe kanë në plan të rregullojnë pamjen e hundës, duhet që këto dy shqetësime t'i zgjidhin në të njejtën kohë pra në një ndërhyrje të vetme. Meqë na përmendët rinoplastikën, çfarë mund të themi ndonjë gjë më tepër për të? Tani erdhëm tek pjesa ime e preferuar (qesh). Rinoplastika është ndërhyrja trend ditët e sotme në rutinën e sallave të ORL. Është një ndërhyrje e cila në kuptimin e vërtetë të fjalës të ndryshon jetën. Si organi më i ekspozuar në fytyrë, hunda ka rolin kryesor në estetikën dhe harmoninë e fytyrës. Një hundë e bukur apo perfekte zbukuron të gjithë portretin. Është shumë e rëndësishme që kjo ndërhyrje të kryhet nga kirurgu ORL sepse vetëm kështu mund të korrigjojmë pa dëmtuar funksionin. Hunda eshte nje organ etnik dhe ne shqipëtarët nuk mbahemi për hundë të bukur. Për mua, kushdo që dëshiron të përmirësojë pamjen, duhet ta fillojë ndryshimin nga hunda.


0 comments