top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Kafeina: kur sasia është e tepruar?


Kafeina ka disa veçori të mira, por mund të shkaktojë edhe probleme. Zbuloni më poshtë kur sasia e kafeinës është e tepruar dhe nëse është momenti të kufizoni konsumin e saj.

Nëse mbështeteni tek kafeina për t’u zgjuar në mëngjes dhe për t’ju mbajtur aktivë gjatë ditës, nuk jeni i vetmi. Kafeina përdoret çdo ditë nga miliona njerëz për të zgjuar organizmin, për të lehtësuar lodhjen dhe për të përmirësuar përqëndrimin dhe fokusimin.


Por sa është sasia e tepruar?


Deri në 400 miligram kafeinë në ditë është një sasi e sigurt për shumicën e njerëzve të shëndetshëm. Kjo është pak a shumë sasia e kafeinës që përmbajnë katër filxhanë kafe filtër, dhjetë kanoçe coca-cola ose dy kanoçe pije energjike. Duhet të kini parasysh se përmbajtja aktuale e kafeinës tek pijet varion gjerësisht, veçanërisht tek pijet energjike.

Megjithëse përdorimi i kafeinës mund të jetë i sigurt për të rriturit, për fëmijët nuk është një ide e mirë. Gjithashtu, adoleshentët duhet ta kufizojnë përdorimin e saj. Shmangni përzierjen e kafeinës më substanca të tjera, siç është alkoli.


Edhe tek të rriturit, përdorimi i tepruar i kafeinës mund të shkaktojë efekte anësore të pakëndshme. Në të njëjtën kohë, kafeina mund të mos jetë një zgjedhje e mirë për njerëzit që janë shumë të ndjeshëm ndaj efekteve të saj ose që marrin mjekime specifike.


Gratë shtatëzëna ose që po përpiqen të mbesin shtatëzënë, si dhe ato që ushqejnë me gji duhet të konsultohen me doktorin e tyre për kufizimin e përdorimit të kafeinës.


Lexoni më poshtë nëse keni nevojë të kufizoni sasinë tuaj të kafeinës


Pini më shumë se katër filxhanë kafe në ditë


Nëse aktualisht konsumoni më shumë se katër filxhanë kafeje në ditë, duhet të kufizoni sasinë e kafeinës nëse po përjetoni disa nga efektet anësore të mëposhtme:


· Dhimbje koke

· Pagjumësi

· Nervozizëm

· Irritim

· Urinim i shpeshtë ose paaftësi për të kontrolluar urinimin

· Shqetësime në stomak

· Rrahje të shpejta zemra

· Dridhje të muskujve


Edhe sasia më e vogël ju bën nervoz


Disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj kafeinës se të tjerë. Nëse jeni i prekshëm ndaj efekteve të kafeinës, edhe sasi të vogla të saj, siç mund të jetë një gotë çaj apo kafe, mund të nxisin efekte të padëshirueshme, siç është nervozizmi dhe problemet me gjumin.

Reagimi juaj ndaj kafeinës mund të jetë i përcaktuar pjesërisht nga sasia e kafeinës që jeni mësuar të merrni. Njerëzit që nuk konsumojnë rregullisht kafeinë janë të prirur të jenë më të ndjeshëm ndaj efekteve negative të saj. Faktorë të tjerë mund të përfshijnë gjenetikën, peshën e trupit, moshën, përdorimin e mjekimeve të ndryshme dhe gjendjes shëndetësore të njeriut, veçanërisht personat që vuajnë nga ankthi.


Nuk po flini mjaftueshëm


Shumica e të rriturve kanë nevojë për shtatë deri në tetë orë gjumë çdo natë. Por kafeina, edhe pas orarit të drekës, mund t’ju pengojë të flini.


Humbja e gjumit, pavarësisht nëse vjen nga puna, udhëtimet, stresi apo përdorimi i tepërt i kafeinës, çon në mungesë të gjumit. Humbja e gjumit është kumulative dhe mjaftojnë disa minuta më pak gjumë çdo natë për të çrregulluar përqëndrimin duke ndikuar në performancën tuaj të përditshme.


Përdorimi i kafeinës për të maskuar mungesën e gjumit mund të krijojë një cikël të padëshiruar. Për shembull, ju mund të konsumoni pije me kafeinë sepse keni vështirësi për të qëndruar zgjuar gjatë ditës. Por kafeina ju pengon të flini gjumë gjatë natës duke shkurtuar kështu kohën tuaj të gjumit.


Po merrni mjekime ose suplementë


Disa mjekime dhe suplementë bimorë mund të ndërveprojnë negativisht me kafeinën. Disa shembuj janë:


· Ephedrine. Përzierja e kafeinës me këtë ilaç, i cili përdoret në mjekimet dekongjestionuese, mund të rrisë rrezikun e tensionit të lartë, atakut kardiak dhe goditjeve cerebrale.

· Theophylline (Theo-24, Elixophyllin, të tjera). Ky mjekim, i cili përdoret për të liruar rrugët bronkiale, është i prirur të shkaktojë disa efekte si të kafeinës. Kështu që përdorimi i tij bashkë me konsumin e kafeinës mund të rrisë efektet e forta anësore të kafeinës, siç janë të përziera apo takikardi.

· Echinacea. Ky suplement bimor, i cili përdoret ndonjëherë për t’u mbrojtur nga gripi apo infeksione të tjera, mund të rrisë përqëndrimin e kafeinës në gjakun tuaj duke rritur kështu efektet e pakëndshme të saj.


Flisni me doktorin ose farmacistin tuaj nëse kafeina mund të ndërveprojë keq me mjekimet që po merrni.


Frenimi i zakonit të kafeinës


Nëse është për një nga arsyet e mësipërme, apo sepse doni të kufizoni shpenzimet tuaja për pijet me kafeinë, reduktimi i kafeinës mund të jetë sfidues. Një ulje e menjëhershme e sasisë së kafeinës mund të shkaktojë simptoma të tërheqjes, si dhimbje koke, lodhje, nervozizëm dhe vështirësi në përqëndrim. Fatmirësisht, këto simptoma janë zakonisht të lehta dhe kalojnë pas disa ditësh.


Për të ndryshuar zakonin tuaj të kafeinës, provoni këto këshilla:


· Mbani shënime. Filloni t’i kushtoni vëmendje sasisë së kafeinës që merrni nga ushqimet dhe pijet, duke përfshirë edhe pijet energjike. Lexojini me kujdes etiketat. Por kini parasysh që llogaritja juaj mund të jetë me e ulët pasi disa ushqime apo pije që përmbajnë kafeinë nuk e listojnë në etiketë.

· Uleni gradualisht sasinë. Për shembull, pini një pije energjike më pak ose një filxhan më të vogël kafeje në ditë. Ose shmangni konsumin e pijeve me kafeinë vonë gjatë ditës. Kjo do ta ndihmojë trupin tuaj të mësohet me nivelet e ulta të kafeinës dhe të minimizojë efektet e mundshme të tërheqjes.

· Përdorni pije dekafeinato. Shumica e pijeve dekafeinato janë të njëjta në pamje dhe shije si pijet me kafeinë.

· Zvogëloni kohën e zierjes ose përdorni çajra bimorë. Kur përgatisni çaj, zvogëloni kohën e zierjes. Në këtë mënyrë pakësoni përmbajtjen e kafeinës. Ose zgjidhni çajra bimorë që nuk përmbajnë kafeinë.

· Kontrolloni tabletat apo shishet e ilaçeve. Disa ilaçe që përdoren për lehtësimin e dhimbjeve përmbajnë kafeinë, deri në 130 mg në një dozë. Kur të keni nevojë, kërkoni për ilaçe qetësuese pa përmbajtje kafeine.


Përfundimi


Nëse jeni si shumica e njerëzve, kafeina është pjesë e rutinës tuaj ditore. Dhe në shumicën e rasteve nuk përbën problem për shëndetin. Por jini të kujdesshëm për situata specifike në të cilat duhet të merrni masa për ndryshimin e zakonit tuaj të kafeinës.

0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page