- Trupi dhe Shëndeti
Kujdesi për veten nuk është një privilegj. Është një disiplinë.

· Kujdesi për veten nuk është një privilegj. Kujdesi për veten është një disiplinë.
· Nëse tregohemi të sinqertë, kujdesi për veten është në fakt paksa i mërzitshëm.
Kujdesi për veten kërkon disiplinë për të bërë gjërat e vështira dhe të mërzitshme që na bëjnë mirë.
Mënyra se si kujdesi për veten portretizohet në kohët e sotme është plotësisht primitive. Së pari, kujdesi për veten si një koncept i drejtohet pothuajse ekskluzivisht femrave (në përgjithësi femrave të bardha të pasura që kanë mundësi të blejnë mallra dhe shërbime që u tregtohen atyre si përkujdesje ndaj vetes). Sugjerimi aspak delikat është që femrat duhen kujtuar që të kujdesen për veten sepse, në fund të fundit, ato janë shumë të zëna duke u kujdesur për këdo tjetër. Dhe sugjerimi tjetër, akoma më pak delikat është se ndërsa ne duhet të kujdesemi për veten, kjo nuk na shfajëson që të kujdesemi për gjithë të tjerët.
Së dyti, mënyra tjetër se pse portretizimi aktual i kujdesit për veten është primitiv është sepse karakterizohet si privilegj. Kjo nënkupton se praktika e kujdesit ndaj vetes është diçka që me raste na lejohet ta shijojmë dhe se kujdesi ndaj vetes duhet të ndihet patjetër si një privilegj. Mendoni për produktet e shtrenjta të kozmetikës, çokollatat e luksit apo trajtimet spa. Kur harxhojmë më shumë kohë duke folur për fuqinë materiale të kujdesit ndaj vetes se sa realisht të gjejmë kohën për të fjetur më shumë gjumë, atëherë jemi distancuar shumë nga gjithçka që mund të konsiderohet e shëndetshme për mendjen apo trupin.
Kujdesi për veten nuk është një privilegj. Kujdesi për veten është një disiplinë.
Kërkon një mendje të fortë, një kuptim të thellë dhe personal të prioriteteve tuaja dhe respekt për veten dhe njerëzit me të cilët keni vendosur të kaloni jetën.
Për shembull, kujdesi për veten është:
· Të fikni televizorin në vend që të shikoni një episod tjetër të “The Crown” pasi alarmi do të bjerë në orën 5 të mëngjesit në mënyrë që të shkoni në palestër.
· Të refuzoni gotën e dytë alkoolike në festën e punës. Madje do të ishte akoma më mirë të refuzonit edhe të parën.
· Të thoni “jo” për gjërat që nuk doni t’i bëni edhe pse dikush mund t’ju mbajë inat për këtë.
· Të keni pavarësi financiare.
· Të bëni punë që kanë rëndësi.
· Të lejoni që njerëzit e tjerë të kujdesen për veten e tyre.
Nëse tregohemi të sinqertë, kujdesi për veten është në fakt paska i mërzitshëm. Dhe për këtë arsye kujdesi për veten është një disiplinë. Duhet disiplinë për të bërë gjërat që janë të mira për ne në vend të atyre që na bëjnë të ndihemi mirë për momentin. Duhet akoma më shumë disiplinë për të refuzuar marrjen e përgjegjësive për mirëqenien emocionale të njerëzve të tjerë. Dhe duhet disiplinë për të marrë përgjegjësi të plotë për mirëqenien tonë personale.
Kujdesi për veten është gjithashtu një disiplinë pasi nuk është diçka që e bën njëherë në kaq kohë kur bota papritur çmendet. Është diçka që e bën çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj që kalon. Është të kujdesesh për veten në një mënyrë që nuk ka nevojë të të plotësojë për të rivendosur balancat. Është marrja e angazhimit për ta bërë praktikë të rregullt të qënit të shëndetshëm dhe të balancuar.
Në mënyrë ironike, kur vërtet kujdeseni për veten, duke ushtruar gjithë disiplinën që kërkohet, jeni realisht në një pikë më të fortë për ta lëshuar veten tek njerëzit që ju rrethojnë. Do jeni një prind më i lumtur, një bashkëshort/e më mirënjohës, një koleg më i angazhuar. Njerëzit të cilët kujdesen për veten kanë energjinë të kujdesen për të tjerët me gëzim pasi kujdesi për dikë tjetër nuk kushton asgjë. Dhe ata që kujdesen për veten kanë gjithashtu energjinë për të punuar me një kuptim dhe një synim drejt një qëllimi të denjë. Çka do të thotë që këta njerëz janë pikërisht ata që do ta bëjnë këtë botë një vend më të mirë për të gjithë ne.