top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Lehtësimi i urthit: Trajtime në shtëpi


Urthi është një ndjesi djegieje në kraharor, më saktësisht mbrapa kafazit të kraharorit. E njohur teknikisht me emrin Sëmundja e Refluksit Gastroezofageal (GERD), urthi ndodh kur acidet e stomakut kthehet mbrapsht në ezofag. Shija e hidhur dhe ndjesia e ushqimit që kthehet në gojë mund ta shoqërojnë këtë ndjesi. Urthi ndodh zakonisht pasi keni konsumuar një vakt si dhe është më i shpeshtë gjatë natës. Dhimbja përkeqësohet më shumë kur jeni i shtrirë ose i përkulur.


Po përse ushqimi kthehet në ezofag? Normalisht, një grup i fortë muskujsh (muskujt e poshtëm unazorë të ezofagut) mbyllin fundin e ezofagut dhe hapen për të lejuar ushqimin dhe lëngjet të zbresin në stomak. Pastaj mbyllen sërish. Nëse këto muskuj relaksohen në mënyrë anormale apo dobësohen, acidet e stomakut mund të kthehen lart (refluks), duke irrituar ezofagun.


Urthi rastësor është i zakonshëm dhe nuk përbën ndonjë alarm. Shumica e njerëzve e menaxhojnë vetë këtë siklet. Urthi më i shpeshtë i cili ndikon në moskryerjen e aktiviteteve tuaja të përditshme, mund të jetë simptomë e një problematike më serioze që kërkon konsulencë me mjekun tuaj.


Për të shmangur ose lehtësuar efektet e urthit, duhet:


· Të ruani një peshë të shëndetshme

Pesha e tepërt ushtron presion në muskujt e barkut duke shtyrë lart stomakun dhe duke bërë që acidet të kthehen në ezofag. Nëse jeni në peshë ideale, atëherë ruajeni atë. Nëse jeni mbipeshë apo obez, synoni për të humbur peshë ngadalë, jo më shumë se 0.5-1kg në javë. Pyesni doktorin tuaj për të hartuar një plan të përshatshëm për të humbur peshë.


· Shmangni veshjet e ngushta

Veshjet e ngushta rreth mesit ushtrojnë presion mbi bark dhe mbi muskujt e poshtëm unazorë të ezofagut.


· Shmangi ushqimet dhe pijet që nxisin urthin

Çdokush nga ne ka nxitës specifik të urthit. Nxitësit e zakonshëm, siç janë ushqimet e skuqura dhe të yndyrshme, salca e domates, alkoli, cokollata, mentja, hudhra, qepa dhe kafeina mund ta përkeqësojnë urthin. Shmangni ushqimet që e dini se ju shkaktojnë urth.


· Konsumoni vakte më të vogla

Shmangni mbingrënien duke ngrënë vakte më të vogla në sasi.


· Mos u shtrini pas ngrënies së një vakti

Prisni të paktën tre orë pasi keni ngrënë para se të shtriheni apo të shkoni të flini.


· Ngrini kokën e shtratit tuaj.

Nëse keni shpesh urth gjatë natës ose gjatë kohës që po përpiqeni të flini, përdorni peshën e rëndesës në favorin tuaj. Vendosni copa druri poshtë këmbëve të krevatit në mënyrë që ana e kokës të ngrihet nga 15 deri në 23 cm. Nëse nuk është e mundur të ngrini krevatin, vendosni një shtresë ortopedike midis dyshekut dhe dërrasës së krevatit për të ngritur trupin nga mesi e lart. Shtresat ortopedike shiten në farmaci ose në dyqane pajisjesh mjekësore. Ngritja e kokës me jastëkë shtesë nuk është e efektshme.


· Në ndonjë rast mund të provoni tableta anti-acide

Këto produkte mund të neutralizojnë përkohësisht acidin e stomakut dhe të lehtësojnë urthin. Megjithatë, përdorimi i zgjatur apo i tepërt i tabletave anti-acide të cilat përmbajnë magnez mund të shkaktojnë diarre. Produktet me bazë kalçiumi ose alumini mund të shkaktojnë kapsllëk.


· Mos pini duhan

Pirja e duhanit ul aftësinë e funskionimit normal të muskujve të poshtëm unazorë të ezofagut.


Simptomat që tregojnë se duhet të shkoni tek doktori


Kërkoni ndihmë të menjëhershme nëse keni dhimbje të forta apo shtypje në kraharor, veçanërisht nëse keni edhe simptoma të tjera si dhimbje në krahë apo nofull, ose vështirësi në frymëmarrje. Dhimbja në kraharor mund të jetë simptomë e një ataku kardiak.


Caktoni një takim me doktorin nëse:


· Urthi ndodh më shpesh se dy herë në javë

· Simptomat vazhdojnë pavarësisht përdorimit të tabletave anti-acide

· Keni vështirësi në gëlltitje

· Keni një gjendje të vazhdueshme marrje mendsh apo të vjella

· Keni humbje peshe për arsye të mungesës së oreksit apo vështirësisë për të ngrënë

0 comments

Recent Posts

See All
bottom of page