- Trupi dhe Shëndeti
Mos po kaloni në ezaurim nervor?
Updated: Jul 11, 2019

Ezaurimi nervor i bën njerëzit të ndihen pesimistë, të pashpresë, të izoluar dhe të lodhur.
Ndiheni i rraskapitur gjithë kohën, dyshues për përgjegjësitë tuaja profesionale dhe mendoni se kërkesat e punës tuaj janë dërrmuese? Mund të jeni duke vuajtur nga ezaurimi nervor dhe me shumë gjasa jeni personi i fundit që jeni në dijeni për këtë problem.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka njohur zyrtarisht ezaurimin nervor si një fenomen profesional, duke e përshkruar si një sindromë që shkaktohet nga stresi kronik në ambientet e punës, stres i cili nuk është menaxhuar me sukses.
Kjo sindromë karakterizohet nga ndjenja lodhjeje, pesimizmi apo cinizmi në lidhje me punën e dikujt dhe performancën e dobët.
Megjithatë, mund të jetë e vështirë për njerëzit të kuptojnë çfarë po ndodh.
“Mendoj se është relativisht e vështirë të identifikosh vetë shenjat e ezaurimit nervor. Njerëzit pranë jush, ose eprorët nga ana tjetër, janë të aftë ta identifikojnë atë,” shprehet Dr. Rachel Morris, doktoreshë komuniteti, e cila për më shumë se 15 vite ka parë shumë pacientë të sëmurë nga stresi në ambientet e punës.
Ajo thotë se pacientët që vuajnë nga ezaurimi nervor mund të fillojnë të ndihen të pasigurt për veten, të përbuzur, të pashpresë apo të izoluar, ndalojnë në ngrëni shëndetshëm dhe ndihen vazhdimisht të lodhur. Gjithashtu ato mund të ndihen të inatosur dhe zemëruar në lidhje me punën, ose kundrejt kolegëve apo miqve të tyre.
“Kur njerëzit fillojnë të marrin leje nga puna për arsye të dhimbjes së mesit, problemeve të stomakut apo migrenës, shpesh këto janë simptoma të ezaurimit nervor” shprehet Dr. Morris.
Çfarë po ndodh me mua?
Nëse mendoni se po vuani nga ezaurimi nervor, drejtojini vetes pyetjet e mëposhtme:
· Ju ka kërkuar ndonjë person i afërt të zvogëloni volumin e punës?
· Në muajt e fundit, jeni ndjerë i inatosur apo i mërzitur në lidhje me punën tuaj apo kundrejt kolegëve, klientëve apo pacientëve?
· Ndiheni fajtor që nuk po kaloni kohë të mjaftueshme me miqtë tuaj, familjen apo edhe me veten tuaj?
· Ju ka ndodhur të jeni bërë më i ndjeshëm kohët e fundit, për shembull, keni qarë, jeni inatosur, keni bërtitur apo jeni ndjerë i tensionuar pa ndonjë arsye evidente?
Nëse i jeni përgjigjur “po” të paktën njërës prej këtyre pyetjeve, është koha për ndryshim.
Këto pyetje janë hartuar nga Programi Shëndetësor i Mjekut në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë një pikënisje e mirë për të gjithë punonjësit për të identifikuar nëse janë në rrezik të një ezaurimi nervor.
Deri sa një person të arrijë në ezaurim nervor, zakonisht duhet një kohë të gjatë, nga gjashtë deri në 18 muaj.
Dr. Jacky Francis Walker është një psikoterapiste dhe autore e librit “Bibla e Ezaurimit Nervor”. Ajo është e specializuar në trajtimin e pacientëve me ezaurim nervor.
“Zakonisht njerëzit vijnë tek unë dhe janë të hutuar se si krejt papritur nuk mund t’i bëjnë më gjërat që bënin rregullisht. Krejt papritur ato ndihen sikur e kanë humbur magjinë e tyre,” shprehet ajo.
Njerëzit mund ta gjejnë veten në një “modalitet mbijetese”, ku ato ndihen se kanë humbur kreativitetin dhe ekspresivitetin që kanë patur më parë. Ezaurimi nervor ndryshon shumë nga stresi, shprehet Dr. Walker.
“Stresi, e thënë thjeshtë, ndodh kur kërkesat ndaj teje janë më të mëdha se burimet që mund të ofrosh në situata të ndryshme. Këto burime mund të jenë psikologjike, ripërtëritëse dhe burime kohe dhe aftësish.”
Njerëzit kanë nevojë për pak shtysë për të performuar. Por pasi arrihet kulmi i performancës dhe kulmi i presionit dhe veçanërisht nëse presioni vazhdon të rritet, atëherë performanca fillon të bjerë.
Jo vetëm për karrieristët
Ekziston një legjendë që ezaurimi nervor prek vetëm karrieristët, ose ata që nuk e pëlqejnë punën që bëjnë, por jo në të gjitha rastet është kështu, shprehet Dr. Morris.
“Njerëzit mendojnë se kalojnë në ezaurim nervor nëse e urrejnë punën që bëjnë, por nuk është e vërtetë. Personalisht kam parë shumë stres mes mësuesve, doktorëve, avokatëve, sipërmarrësve, financierëve etj. Njerëzit që janë zakonisht më ambiciozë dhe perfeksionistë mund të vuajnë më shumë pasi këto njerëz kanë tendencën për t’u vetëvlerësuar më shumë nga identiteti i tyre i punës.”
Ezaurimi nervor nuk prek vetëm njerëzit që janë në punë, por edhe ata që qëndrojnë në shtëpi dhe që kanë përgjegjësi përkujdesjeje.
“Njerëzit që përkujdesen për fëmijë apo të moshuar, ndonjëherë me paaftësi fizike, janë ata persona të cilët mund të ezaurohen në gradë të lartë. Këta pacientë janë totalisht të dërrmuar dhe mund të fillojnë të provojnë sindromën e ‘mungesës së dhembshurisë,’” shprehet Dr. Walker.
Ezaurimi nervor shifet shpesh si diçka nga e cila duhet të ndihesh i turpëruar.
“Është ende një tabu pranimi i ezaurimit nervor,” thotë Dr. Walker. “Shumë njerëz mendojnë se nëse nuk arrijnë të ngrihen në këmbë, ka diçka që nuk shkon me ta. Ndihen të dobët dhe që s’mund ta përballojnë situatën në të cilën ndodhen.”
Dita s’ka mjaftueshëm orë
Dr. Rachel Morris ka zhvilluar një program për t’i ardhur në ndihmë mirëqënies së punonjësve.
“Të gjithë ne mund të ndërmarrim disa hapa për të ulur rrezikun e ezaurimit nervor,” shprehet ajo. “Njëri prej tyre është rritja e niveleve tona të elasticitetit. Kjo do të thotë të jemi më të aftë t’i përgjigjemi stresit në një mënyrë të shëndetshme si dhe të ngrejmë kokën lart dhe të bëhemi më të fortë pas sfidave të mëdha.”
Morris thotë se është e rëndësishme të gjesh kohën për aktivitete që rrisin mirëqenien tonë, siç janë aktiviteti fizik, kontakti me njerëz apo rekuperimi i gjumit.
“Kur puna bëhet shumë kërkuese, reagimi ynë i natyrshëm është heqja dorë nga gjërat që na pëlqejnë duke u bllokuar në vorbullën e punës”, vazhdon më tej Dr. Morris.
“Është vërtet e vështirë të bësh ndryshime të mëdha, kështu që njerëzit mund të fillojnë me gjëra të vogla, siç mund të jetë për shembull një shëtitje e shkurtër gjatë orarit të drekës ose takimi me një mik për një kafe.”
Mungesa e vëmendjes ndaj mirëqenies tonë fizike dhe psikologjike mund të çojë në ezaurim nervor.
Ajo thotë se një problem tjetër është se njerëzit që janë shumë të stresuar priren të fokusohen tek gjërat që janë jashtë kontrollit të tyre. Fokusimi vetëm në gjërat që mund t’i kontrollojnë ndihmon në uljen e nivelit të stresit dhe Dr. Morris e quan këtë “zonën e pushtetit”.
Është e rëndësishme ndarja me prioritet e detyrave dhe jo shtimi pa limit i mbingarkesës me punë, shprehet Dr. Morris.
Ajo ka hartuar një program për t’i ndihmuar punonjësit të ndajnë detyrat e rëndësishme nga ato urgjente si dhe të heqin dorë nga detyrat pa vlerë.
Kultura toksike e punës
“Shumë njerëz që kanë pozicione pune me presion të lartë mendojnë se është normale të stresohen, por në fakt nuk duhet të jetë kështu. Në këtë mënyrë dëmtojmë shëndetin tonë dhe duhet patjetër ta hedhim pas krahëve këtë legjendë,” shprehet Dr. Morris.
Megjithatë, ajo thekson se punonjësit duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të shikojnë praktika që i ndihmojnë njerëzit të gjejnë balancën e duhur punë-jetë dhe të shmangin ezaurimin nervor.
Sipërmarrësit dhe brezat e viteve të fundit që punojnë në industrinë e teknologjisë dhe atë digjitale po përjetojnë shumë ndryshime, ashtu si edhe shkurtime në vendet e punës, por janë nën presion për të rritur performancën e tyre.
Natyra fluide e shumë profesioneve është gjithashtu një problem. Në ditët e sotme, jemi të arritshëm 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe kjo përbën një problem të madh pasi asnjëherë nuk arrijmë të shkëputemi nga puna apo të fikim për një çast trurin tonë.
Në ditët e sotme, jemi të arritshëm 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe është e vështirë të përcaktosh kufij fizik në ambientin e punës.
Një studim i Gallup i vitit 2018 mes 7500 punonjësve amerikanë me kohë të plotë zbuloi se rreth 2/3 e tyre po përjetonin ezaurim nervor në punë.
Shkaqet e këtij ezaurimi përfshinin:
· trajtim të padrejtë në punë
· ngarkesë e paimagjinueshme pune
· mungesë qartësie për rolin e punës
· mungesë mbështetjeje nga eprorët
· presion afatesh të paarsyeshme
Dr. Walker beson se kultura toksike e punës është padyshim burimi kryesor i stresit në punë.
Në kohët aktuale, kur kompanitë janë nën presion për të shkurtuar shpenzimet, kërkohet më shumë nga një numër më i vogël punonjësish. Ajo mendon se ky është një aspekt i problemit që kompanitë duhet të bëjnë më shumë për ta njohur dhe zgjidhur atë.
“Edhe pse kompanitë ofrojnë një lloj mbështetjeje për stresin në punë, shumë shpesh i gjithë fokusi është tek individi,” shprehet Dr. Walker.
“Qëndrimi mbizotërues është që janë punonjësit ata që stresohen. Kështu që kompanitë mendojnë vetëm për të gjetur mënyra për t’i ndihmuar ata të ngrihen në këmbë, në vend që të marrin masa për të ndryshuar praktikat aktuale të vendit të punës.”