top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Mungesë kripërash minerale? Ja cfarë duhet të hamë


Simptoma të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe ushqimet që duhen konsumuar


Pjesa më e madhe janë në dijeni që trupi i njeriut mund të ketë mungesë vitaminash, por a e dinit që edhe kripërat minerale janë të domosdoshme për shëndetin tonë?


Ndonjëherë mjafton një analizë e thjeshtë e gjakut për të përcaktuar se cilat minerale mikro apo makro ju mungojnë.


Ekzistojnë shumë simptoma dhe sinjale të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje. Më poshtë do të lexoni cilat janë këto simptoma dhe çfarë ushqimesh duhet të përfshini në dietën tuaj në mënyrë që të mos keni mungesë të mineraleve thelbësore.


Kromi

Mungesa e këtij minerali mund të sjellë një tolerancë të reduktuar ndaj glukozës dhe humbje peshe.

Ushqimet që e përmbajnë këtë mineral të rëndësishëm janë: kërpurdhat, perimet dhe gjethet jeshile, soja, farat e lule diellit, qiqrat, arrat braziliane, shurupi i kallam sheqerit dhe mëlcitë.


Mangani

Mungesa e këtij mikro minerali është e pazakontë, por në rastet e rralla, simptomat mund të përfshijnë një rritje të dobët të kockave, fertilitet të ulët dhe tolerancë të reduktuar ndaj glukozës.

Provoni të përfshini në dietën tuaj më shumë perime dhe gjethe jeshile, manaferra, sallatë jeshile, tërshërë, sojë, oriz integral, qiqra dhe ananas.


Fluori

Nëse keni mungesë fluori, jeni më shumë në rrezik për zhvillimin e kariesit dhe problemeve të tjera të gojës.

Pini shumë ujë, çaj dhe sigurisht që dhëmbët duhen larë të paktën dy herë në ditë.


Kaliumi

Nivelet e ulta të kaliumit verifikohen kur një person humbet shumë lëngje, për shembull nëpërmjet urinës, të vjellave dhe diarres.

Kur ndodh diçka e tillë, mënyra më e mirë për të rritur shpejt nivelin e kaliumit është nëpërmjet konsumimit të patateve të ëmbla, domateve, perimeve dhe gjetheve jeshile, karotave, kumbullave të thata, fasuleve, shurupit të kallam sheqerit, kungullit, peshkut, bananeve, pjeshkëve, kajsive, pjeprit, patateve, hurmave të arabisë, rrushit të thatë dhe kërpurdhave.


Jodi

Mungesa e jodit prek rritjen dhe zhvillimin neurologjik. Shenja më e zakonshme e mungesës së jodit është fryrja në pjesën e përparme të qafës.

Për të shmangur mungesën e jodit, duhet të përfshini në vaktet tuaja ushqime si algat, kripën e jodizuar, vezët, luleshtrydhet, shpargun si dhe perimet dhe gjethet jeshile.


Magnezi

Magnezi gjendet me bollëk në shumë ushqime kështu që mungesë e këtij makro minerali është e pazakontë.

Prandaj është e rëndësishme të konsumohen bimët bishtajore, arrat, farat, drithërat integrale, frutat dhe avokadot që janë një burim i pasur magnezi.


Kalciumi

Kalciumi është i rëndësishëm për kocka dhe dhëmbë të fortë. Mungesa e këtij minerali ndikon në zhvillimin e sëmundjes së osteoporozës.

Për të patur një nivel të mjaftueshëm të kalciumit, sigurohuni që të konsumoni produktet e qumështit, tofu-në, qumështin e sojës, brokolit, perimet dhe gjethet jeshile, bimët bishtajore, shurupin e kallam sheqerit, troftën, sardelet, arrat dhe fasulet.


Zinku

Nivele të ulta të zinkut mund të dobësojnë sistemin imunitar dhe t’ju bëjnë më të prekshëm ndaj infeksioneve të ndryshme.

Përmbajta më e lartë e zinkut në ushqime gjendet tek “ostrichet”, mishi, fasulet dhe arrat.


Hekuri

Hekuri është shumë i rëndësishëm për të mbajtur të ekuilibruara nivelet e qelizave të kuqe të gjakut. Mungesa e hekurit mund të shkaktojë anemi.

Sigurohuni që të konsumoni mjaftueshëm bajame, kajsi, fasule, hurma arabie, rrush të thatë, oriz integral, perime dhe gjete jeshile, brokoli, fara kungulli, ton, mish pule dhe derri.


Seleni

Mungesa e selenit është e rrallë, por megjithatë personat që kanë mangësi seleni mund të kenë probleme me fertilitetin, lodhjen dhe një dobësim të sistemit imunitar.

Këshillohen arrat braziliane, kërpurdhat, orizi, fasulet, salmoni, drithërat integrale dhe vezët.


Molibdeni

Mungesa e molibdenit nuk verifikohet shpesh tek njerëzit. Ky mikro mineral gjendet zakonisht tek bimët bishtajore dhe tek drithërat integrale.


Fosfori

Dieta të varfëra dhe çrregullimet në ushqyerje mund të çojnë në mungesën e këtij minerali.

Ushqimet që e përmbajnë këtë mineral janë bimët bishtajore, arrat, farat, drithërat integrale, vezët, peshku, frutat e detit, misri dhe orizi i egër.


Bakri

Mungesa e bakrit është e pazakontë por ajo verifikohet tek disa njerëz.

Është e rëndësishme të konsumohen kërpurdhat, perimet dhe gjethet jeshile, soja, farat e lule diellit, qiqrat, arrat braziliane, shurupi i kallam sheqerit dhe mëlcitë.


Dieta e balancuar

Konsultohuni me dietologun tuaj për të garantuar që të ruani nivele të ekulibruara të mineraleve.

0 comments
bottom of page