• Trupi dhe Shëndeti

Në verë fëmijët pijnë pak ujë: ja disa zgjidhje të lehta


Luajnë, vrapojnë, hanë dhe ndërkohë shishja e ujit kalon në plan të dytë. Sipas një studimi, gjatë stinës së verës një fëmijë në dy nuk pi mjaftueshëm ujë pasi nuk kanë edukatën e nevojshme lidhur me hidratimin korrekt. Por uji, mbi të gjitha gjatë periudhës së verës, ka një rol thelbësor për mirëqenien dhe zhvillimin psiko-fizik të organizmit.


Ndjesia e etjes


Përveç shpërqëndrimeve madhore ndaj të cilave ekspozohen, për fëmijët mund të jetë e vështirë të mbajnë mend që duhet të pijnë ujë mjaftueshëm pasi stimuli i tyre i etjes është më pak i zhvilluar në krahasim me të rriturit. Edhe kur ky stimul arrihet, sërish ata nuk konsumojnë sasinë e duhur të ujit.


Këshillat e ekspertit


“Në këtë periudhë me temperatura të larta dhe me orë të tëra të kaluara nën çadrën e plazhit, është e rëndësishme të pihet ujë në mënyrë të rregullt, veçanërisht për fëmijët që djersisin shumë dhe që humbasin në këtë mënyrë lëngje dhe kripëra minerale të cilat nëse nuk zëvendësohen, mund të rrisin rrezikun e dehidratimit”, shpjegon eksperti Alessandro Zanasi.


Më poshtë do të lexoni disa sugjerime për të rritur hidratimin e vogëlueshëve gjatë stinës së verës:


Disponueshmëria


Sigurohuni që fëmijët të kenë gjithmonë në dispozicion një shishe ujë. Një veprim i thjeshtë por i rëndësishëm pasi në këtë mënyrë garantojmë që fëmija të ketë ujë në çdo moment, gjatë udhëtimeve në makinë apo në plazh.


Rituali


Lidheni veprimin e pirjes së ujit me momente të caktuara të ditës, për shembull në fillim ose në fund të aktiviteteve argëtuese, gjatë vakteve kryesore ose përpara fjetjes. Është një mënyrë e thjeshtë për të garantuar që çdo ditë fëmija të konsumojë një sasi të caktuar uji duke e kthyer në një zakon të rëndësishëm konsumimin e ujit për një shëndet të mirë.


Zbavitje


Përdorni gota dhe pipëza me ngjyra për ta kthyer konsumimin e ujit një një çast argëtimi.


Cila është sasia e duhur?


Dhimbja e kokës dhe ndjesia e lodhjes janë disa simptoma që mund të përjetojnë fëmijët kur pijnë pak ujë. Për të ruajtuar mirëqenien psiko-fizike të vogëlushëve, pediatrët sugjerojnë, ashtu si edhe për të rriturit, pirjen e të paktën 8 gotave ujë në ditë (1 gotë = 150 ml) për fëmijët e moshës 7-10 vjeç.


Sasitë janë të personalizuara


Bëhet fjalë për një tregues të përgjithshëm pasi: “Sasia specifike e ujit për çdo fëmijë duhet llogaritur duke patur parasysh disa faktorë të ndryshëm, si mosha, gjendja shëndetësore dhe lloji i aktivitetit fizik që kryen fëmija, por edhe temperatura e jashtme dhe lagështira e ambientit”, shprehet Zanasi.


“Së fundmi, konsumimi i të paktën 5 frutave dhe perimeve të stinës në ditë kontribuon në marrjen e lëngjeve të humbura përveç se garanton marrjen e një sasie të rëndësishme të lëndëve ushqyese dhe fibrave”.

0 comments