top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Ndiheni të lodhur nga vapa? Ndiqni këto këshilla

Updated: Aug 27, 2019


Ndiheni i lodhur, i pafuqishëm, keni mungesë dëshire për të bërë gjërat e përditshme dhe mbi të gjitha mbizotëron humori i keq? Kur temperaturat ngrihen, vapa sulmon pa mëshirë duke hequr një pjesë të madhe të energjive. Në këtë mënyrë, kryerja e rutinës së përditshme, nga angazhimet profesionale deri tek punët shtëpiake bëhet gjithnjë e më e vështirë. E njëjta gjë ndodh me dëshirën për të dalë apo për të organizuar aktivite të ndryshme. Mbyllja në shtëpi me ajër të kondicionuar apo shmangia e çdo angazhimi nuk është e nevojshme. Përpiquni të modifikoni lehtë zakonet e përditshme për t’i bërë ballë vapës në mënyrën më të mirë të mundshme.


Një dush për të filluar ditën

Me ujë jo shumë të ngrohtë për të mos zgjeruar më tepër se ç’duhet artieret e gjakut dhe jo shumë të ftohtë pasi mund të shkaktojë një ndryshim të madh të temperaturës së trupit. Dushi i mëngjesit në stinën e verës duhet bërë me ujë të vakët. Për të marrë sa më shumë benefite, hidhni në lëkurën e lagur disa pika vaj menteje, eukalipti ose aloe vera dhe masazhojeni lëkurën për rreth 5 minuta.


Pini shumë ujë

Nutricionistët këshillojnë 2 litra për femrat dhe 2.5 litra për meshkujt. Në verë dhe në ditët shumë të nxehta mund të provoni të pini edhe më shumë ujë. Gjithashtu duhet të tregoheni të kujdesshëm që të merrni lëngje edhe nëpërmjet konsumimit të frutave dhe perimeve. Nëse doni të përfshini disa kripëra minerale, për shembull kalium dhe magnez, të cilat ndihmojnë kur ndiheni të lodhur, në treg do të gjeni lloje të ndryshme uji të përforcuara me këto elementë. Përndryshe, mjafton uji i zakonshëm që konsumoni.


Mos merrni suplementë ushqimorë pa u konsultuar me mjekun

Pyesni mjekun tuaj: ai do të kuptojë nëse trupi juaj ka vërtet nevojë për disa lëndë shtesë ushqyese të cilat mund t’i merrni nëpërmjet suplementëve. Shpesh këto produkte, të cilat shiten jo vetëm në farmaci, por edhe në supermarkete, merren nga njerëzit me mëndjelehtësi dhe pakujdesi. Ato nuk bëjnë dëm, por nëse merren pa një motiv dhe pa kriter nuk kanë asnjë vlerë dhe janë thjesht një shpenzim i kotë parash.


Aktiviteti fizik? Nëse i gjeni fuqitë, më mirë në mëngjes

Kur ndihemi të lodhur në verë shpesh sporti dhe aktiviteti fizik braktisen plotësisht. Në fakt, pak stërvitje, e përshatshme sipas kushteve fizike dhe orarit, ndihmon në mposhtjen e lodhjes dhe mbi të gjitha përmirëson gjendjen e përgjithshme shëndetësore. Në të kundërt, aktiviteti i tepruar fizik mund të çojë në rritjen e ndjesisë së lodhjes dhe mungesës së produktivitetit. Duhet vlerësuar mirë edhe momenti kur zgjidhni të bëni sport: idealja do ishte në orët e para të mëngjesit (sipas teorive të ndryshme njeriu është më pak i lodhur në ato orë dhe arrin të marrë benefite më të mëdha nga aktiviteti sportiv duke ndihmuar kështu në menaxhimin e lodhjes së ditës). Gjatë periudhës së verës, aktiviteti fizik në mbrëmje nuk këshillohet pasi mund të ketë pasoja tek gjumi.


Orët e gjumit

Numri i orëve të nevojshme të gjumit varion sipas personave të ndryshëm, por në përgjithësi këshillohet nga 6 në 8 orë. Respektoni ritmet tuaja dhe mos u angazhoni në aktivete gjatë mbrëmjeve që mund të pengojnë gjumin. Për shembull, aktiviteti i fortë fizik, konsumimi i një darke të rëndë, pirja e duhanit, teprimi me alkoolin dhe fjetja menjëherë pas ngrënies nuk janë aspak të këshillueshme.


Çfarë të hani?

Dietat e kufizuara mund të shkaktojnë rënie të nivelit të hekurit në gjak dhe dehidratim. Nga ana tjetër, konsumi i tepërt i ushqimeve të yndyrshme, si për shembull të skuqurat, mund të ndikojnë për keq në performancën e ditës duke ju bërë të ndiheni më të lodhur. Këshillohen proteinat (peshku, mishi i bardhë), karbohidratet integrale, bimët bishtajore, frutat dhe perimet e

stinës. Mos e shmangni ngrënien e mëngjesit dhe shpërndani në mënyrë të rregullt kaloritë e marra gjatë ditës. Gjatë verës konsumoni ushqime që përmbajnë përqindje të lartë uji.


Uji termal

Uji termal është burim mirëqenieje për lëkurën tonë. Në ditët më të nxehta për të ulur temperaturën e trupit duhet përdorur duke lagur fytyrën dhe trupin pasi krijon një efekt freskues dhe të kënaqshëm. Përbërësit e tij aktivë, pra mineralet dhe elementët e tij përthithen nga lëkura dhe japin një efekt të plotë hidratues dhe qetësues (veçanërisht për lëkurën delikate) si dhe efekt riparues, çka është thelbësore në strategjinë e parandalimit të tharjes dhe plakjes së lëkurës.


Si të visheni?

Jo vetëm tekstile të lehta dhe natyrale, por edhe ngjyra të çelta. Preferohen materialet si linoja dhe pambuku. Të shmangen veshjet sintetike dhe të rënda pasi nuk e lejojnë lëkurën të marrë ajër duke shtuar djersitjen.

0 comments
bottom of page