- Trupi dhe Shëndeti
Pirja e duhanit dëmton edhe sytë përveç mushkërive
Sipas specialistëve, miliona njerëz në Mbretërinë e Bashkuar po vënë në rrezik shikimin e tyre duke vazhduar të pinë cigare. Pavarësisht lidhjes së qartë, një sondazh i kryer nga Shoqata e Optometristëve ka treguar se vetëm një në pesë persona e pranojnë që pirja e duhanit mund të çojë në verbëri.
Duhanpirësit kanë dyfish më shumë mundësi të humbasin shikimin në krahasim me jo-duhanpirësit, thuhet në një deklaratë të Institutit Kombëtar Mbretëror të Njerëzve të Verbër. Kjo për arsye se tymi i duhanit mund të shkaktojë dhe përkeqësoje një sërë problemesh të syrit.
Në ç’mënyrë pirja e duhanit i dëmton sytë?
Tymi i duhanit përmban kimikate toksike që mund të irritojnë dhe dëmtojnë sytë. Për shembull, metale të rënda, siç janë plumbi dhe bakri, mund të grumbullohen në lentet e syrit, pjesa transparente që qëndron pas bebes së syrit dhe që fokuson rrezet e dritës, duke shkaktuar katarakte që çojnë në zhvillimin e njollave tek lentet e syrit.
Duhanpirja mund të përkeqësoje problemet e shikimit tek njerëzit me diabet duke dëmtuar enët e gjakut mbrapa retinës së syrit.
Duhanpirësit kanë tre herë më shumë gjasa të zhvillojnë degjenerimin makular të syrit, një problem që prek pamjen qëndrore të syrit, çka do të thotë humbje të aftësisë për të parë detajet e vogla. Gjithashtu, ato kanë 16 herë më shumë gjasa se jo-duhanpirësit të zhvillojnë humbje të papritur të shikimit të shkaktuar nga neuropatia optike, në të cilën ndodh bllokimi i furnizimit me gjak të syrit.
Në sondazhin e zhvilluar, ku morën pjesë 2006 të rritur, 18% e tyre pranuan me saktësi se pirja e duhanit rriste rrezikun e verbërisë ose të humbjes së shikimit, ndërkohë që ¾ e tyre (76%), konfirmonin lidhjen e duhanit me kancerin.
Shoqata e Optometristëve thotë se mospirja e duhanit është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur shikimin, shoqëruar me vizita të rregullta të syve. Një nga specialistët e shoqatës shprehet se njerëzit kanë tendencë të keni njohuri për lidhjen midis duhanpirjes dhe kancerit, por shumica e njerëzve nuk janë në dijeni të ndikimit që pirja e duhanit mund të ketë tek sytë.
Pirja e duhanit rrit rrezikun e disa problemeve kërcënuese që mund të çojnë në humbjen e shikimit, siç është degjenerimi makular i syrit, çka është një arsye e rëndësishme për duhanpirësit për të konsideruar lënien e duhanit.
Më pak duhanpirës
Në Mbretërinë e Bashkuar, 17% e burrave dhe 13% e grave, rreth 7.4 milion njerëz, janë duhanpirës. Më shumë se gjysma e tyre (61%) shprehen se duan ta lënë duhanin. Shifrat nga Zyra Kombëtare e Statistikave tregojnë se përqindja e duhanpirësve aktualë ka rënë, më rënien më të madhe të ndodhur që nga viti 2011, në grupmoshën midis 18 – 24 vjecarëve.
Në vitin 2017, rreth 2.8 milion njerëz, 5.5% e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar, po përdornin aktualisht cigaren elektronike dhe arsyeja më e shpeshtë e dhënë për përdorimin e kësaj pajisjeje me bateri, ishte pikërisht për t’i ardhur në ndihmë për lënien e duhanit.