top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Pse disa njerëz i mbajnë mend ëndrrat e tyre ndërsa të tjerë i harrojnë ato


Që prej moshës 3 apo 4 vjeçare, kur u bëra i ndërgjegjshëm se çfarë ishin ëndrrat, kam mbatjur mend çdo ëndërr që kam parë, pa përjashtim. Ndërsa shumica e ëndrrave harrohen pas një dite, unë arrij të mbaj mend pjesën më të madhe të tyre muaj apo vite më vonë.


Mendoja se të gjithë i mbanin mend ëndrrat e tyre, deri në moshën e maturës, kur në orën e psikologjisë zhvilluam një leksion në lidhje me ëndrrat. Profesori kërkoi të ngrinin dorën kush i mbante mend ëndrrat që secili mund të kishte parë një natë më parë. Në një klasë me rreth 20 studentë, unë isha një nga dy personat e vetëm që ngritën dorën. Mbeta plotësisht i habitur.


Deri atë ditë, kisha jetuar duke menduar se edhe të tjerët i mbanin mend ëndrrat e tyre. Me sa duket, ky nuk është rasti për shumicën e njerëzve.


Kjo më bëri të filloja të pyesja veten se pse unë mund t’i mbaja mend ëndrrat e mia ndërsa të tjerët jo? Ishte kjo një gjë e mirë apo e keqe? Mos vallë nuk po flija mirë? Këto pyetje rreth ëndrrave më mbetën pa përgjigje deri para se të mbushja 30 vjeç. Kështu që më në fund vendosa të hetoj.


Pse ëndërrojmë


Të fillojmë me pyetjet pse dhe kur ndodhin ëndrrat. Zakonisht ëndrrat ndodhin gjatë fazës REM te gjumit, fazë e cila mund të përsëritet disa herë gjatë natës. Kjo fazë e gjumit karakterizohet nga lëvizje e shpejtë e syve, lëvizjë më të shpeshta të trupit dhe frymëmarrje më e shpejtë.


Mike Kisch, bashkëthemelues dhe CEO i Beddr, një biznes start-up mbi teknologjinë e gjumit, shprehet se ëndrrat ndodhin gjatë kësaj faze gjumi pasi aktiviteti i trurit tonë ngjason me aktivitetin e trurit kur jemi zgjuar. Kjo fazë fillon zakonisht rreth 90 minuta pasi kemi rënë në gjumë dhe mund të zgjasë deri në një orë drejt fundit të gjumit.


“Të gjitë njerëzit ëndërrojnë, pavarësisht se disa i mbajnë mend ëndrrat e tyre dhe disa jo. Është një funksion thelbësor i trurit të njeriut dhe që është gjithashtu i pranishëm në shumicën e specieve,” shprehet Dr. Alex Dimitriu, mjek i specializuar në psikiatri dhe në mjekësinë e gjumit. Atëherë, nëse të gjithë ëndërrojnë, pse jo të gjithë i mbajnë mend ëndrrat e tyre?


Kjo përgjigje mund të variojë nga teoria që vendosni të ndiqni për arsyen se pse njerëzit ëndërrojnë, pasi në të vërtetë ka disa teori. Studimet mbi ëndrrat i përkasin një fushe të gjerë dhe komplekse dhe ëndrrat janë të vështira për t’u studiuar në një laborator. Kjo ndodh pjesërisht pasi aktiviteti i trurit nuk mund të na tregojë mbi përmbajtjen e ëndrrave dhe duhet të mbështetesh tek tregimet subjektive të njerëzve.


Të mbash mend ëndrrat


“Ndërsa disa njerëz sugjerojnë se ëndrrat janë një dritare drejt të pandërgjegjshmes, teori të tjera parashtrojnë që ëndrrat janë një rezultat i pakuptimtë i aktivitetit që ndodh gjatë gjumit i cili ripërtërin trurin,” shprehet Dr. Sujay Kansagra, ekspert i gjumit. “Dhe nëse nevoja jonë për të ëndërruar është një tregues i trurit që po merr pjesë në një proçes ripërtëritës, paaftësia jonë për të mbajtur mend ëndrrat mund të ndodhë thjesht nga klasifikimi që i bëhet informacioneve të rëndësishme dhe të parëndësishme gjatë gjumit.”


Në parim, kjo teori sugjeron që ëndrrat ndodhin kur truri ynë po proçeson informacione, duke eleminuar gjëra të panevojshme dhe duke spostuar kujtime afat-shkurtra të rëndësishme në kujtesën tonë afat-gjatë. Kështu që njerëzit që i mbajnë mend ëndrrat e tyre mund të ndryshojnë nga njëri tjetri nga aftësia e tyre në përgjithësi për të mbajtur mend gjëra.


Përtej kësaj, truri i një personi mund ta bllokojë vetë një ëndërr në mënyrë që mos ta mbajë mend atë ditën tjetër. “Aktiviteti i ëndrrave mund të jetë aq real dhe i thellë saqë truri ynë në fakt i fsheh ose i maskon ëndrrat duke bërë që ato të humbasin gjatë kohës së zgjimit. Kështu që është normale që në shumicën e rasteve njerëzit t'i harrojnë ëndrrat që shohin” shprehet Dimitriu.


Keni parë ndonjëherë një nga ato ëndrra që duken aq reale saqë nuk jeni i sigurt nëse ka ndodhur në të vërtetë apo jo? Është një ndjesi sa shqetësuese aq edhe e çuditshme. Në këtë rast, truri ynë mund të na ndihmojë të harrojmë në mënyrë që të jemi më të aftë të bëjmë dallimin midis botës së ëndrrave dhe asaj reale.


Nga ana tjetër, aktiviteti i trurit mund t’i lejojë dikujt që t’i mbajë mend më lehtësisht ëndrrat e tij. “Ekziston një zonë në trurin tuaj që quhet ‘nyje temporoparietale’, e cila proçeson informacionin dhe emocionet. Kjo zonë gjithashtu mund t’ju fusë në një gjendje zgjimi gjatë gjumit, e cila e lejon trurin tuaj t’i fiksojë dhe t’i mbajë mend ëndrrat,” shpjegon Julie Lambert, eksperte e çertifikuar në fushën e gjumit.


Një studim i publikuar në gazetën “Neuropsikofarmakologji” tregoi se njerëzit që kishin raportuar se i mbanin mend ëndrrat e tyre kishin më shumë aktivitet në “nyjen temporoparietale” në krahasim me ata që nuk i mbanin mend ëndrrat e tyre.


Pse disa njerëz mbajnë mend dhe të tjerë harrojnë


Lambert shpjegon se nëse dikush në mënyrë të rregullt ka mungesë gjumi, atëherë sasia e gjumit të tyre REM do të bjerë, duke e bërë më të vështirë për të mbajtur mend ëndrrat ditën tjetër.


Edhe veçoritë e personalitetit mund të jenë tregues nëse një person është apo jo i aftë për t’i mbajtur mend ëndrrat e tij.


Lambert vazhdon: “Studiuesit gjithashtu kanë kërkuar për veçoritë më të zakonshme të personalitetit, karakteristikë e njerëzve që i mbajnë mend ëndrrat e tyre. Në përgjithësi, njerëz të tillë janë të prirur të fantazojnë, të kenë mendim krijues si dhe të bien shpesh në meditim. Në të njëjtën kohë, personat që janë më praktikë dhe të fokusuar më shumë në gjërat që i rrethojnë janë të prirur të kenë vështirësi për t’i mbajtur mend ëndrrat e tyre.”


Kjo nënkupton që disa njerëz në mënyrë më të natyrshme kanë aftësi më të madhe për t’i mbajtur mend ëndrrat e tyre, pavarësisht cilësisë së gjumit.


Faktorë të tjerë, si stresi apo përjetimi i një traume, mund t’i shkaktojë njerëzit të përjetojnë ëndrra të forta ose makthe që kanë më shumë gjasa t’i mbajnë mend ditën tjetër. Për shembull, një person që po përjeton humbjen e një personi të dashur mund të ëndërrojë për vdekjen në detaje të imtësishme. Mbajtja mend e ëndrrës ditën tjetër mund të ndikojë në humorin e personit dhe të shkaktojë më shumë stres apo ankth.


Si një shkrimtar që fantazon dhe mediton rregullisht, kjo nuk më surprizon. Në fakt, me rritjen time ka evoluar edhe mënyra se si i shikoj ëndrrat e mia. Gjatë pjesës më të madhe të fëmijërisë time, e shikoja veten time në vetën e tretë, pothuajse si një film. Pastaj, një ditë, fillova t’i përjetoj ëndrrat nëpërmjet syve të mi dhe që atëherë kjo gjë nuk ndryshoi më.


Ndonjëherë më ndodh që ëndrrat e mia mbivendosen mbi njëra tjetrën, madje një ndodhi e një ëndrre të kaluar rishfaqet në një ëndërr aktuale. Kjo mund të jetë shenjë që truri im vazhdon ecurinë e tregimit gjatë gjumit tim.


A ndikojnë ëndrrat në cilësinë e gjumit?


Kam qenë gjithmonë i shqetësuar se të parit ëndrra ishte shenjë që nuk flija mirë, por me sa duket ëndrrat nuk ndikojnë në cilësinë e gjumit. Megjithatë aftësia për të mbajtur mend ëndrrat ndonjëherë mund të jetë shenjë e diçkaje tjetër, siç mund të jetë ndonjë problem shëndetësor apo një mjekim specifik.


Ndërkohë që mund të ketë disa dallime biologjike për pasojë të së cilave disa persona i mbajnë mend ëndrrat e tyre më shumë se disa të tjerë, ka gjithashtu disa shkaqe mjekësore që duhen konsideruar. Zilet e alarmit dhe oraret e çrregullta të gjumit mund të shkaktojnë zgjime të papritura gjatë ëndrrave apo fazës REM të gjumit, çka shpie në mbajtjen mend të ëndrrave. Apnea e gjumit, alkooli apo gjithçka tjetër që ndikon në prishjen e gjumit mund të shkaktojë gjithashtu mbajtjen mend të ëndrrave,” shprehet Dimitriu.


Kështu që sa më shpesh të ngriheni gjatë natës, aq më e lehtë bëhet për t’i mbajtur mend ëndrrat, të paktën në afatin e shkurtër. “Në shumicën e rasteve, kjo ndodh pasi ka diçka që na sinjalizon për t’u zgjuar gjatë ëndrrës dhe në këtë mënyrë ndodh mbajtja mend e saj,” vazhdon më tej Dimitriu.


Po përsa i përket ëndrrave që janë aq tronditëse dhe shqetësuese saqë të zgjojnë në mënyrë të menjëhershme nga gjumi? Mund t’ju ndodhë që të keni djersitur shumë, zemra ju rreh shumë shpejt dhe e gjeni veten të ulur në shtrat plotësisht i hutuar nga ajo që sapo ndodhi. Dimitriu shpjegon se të shikosh ëndrra apo makthe që ju zgjojnë rregullisht nga gjumi nuk është gjithmonë normale dhe mund të jetë shenjë që keni nevojë të flisni me një doktor.


Sipas Fondacionit të Gjumit, njerëzit që vuajnë nga sindroma e stresit pas një ngjarje traumatike (PTSD) mund të përjetojnë makthe të forta që përfshijnë kujtime të ngjarjes traumatike, në mënyrë direkte ose simbolike. Këto mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit apo në humorin e njeriut ditën pasardhëse.


Gjithashtu, lodhja e tepërt gjatë ditës mund të jetë shenjë për probleme të gjumit çka bën që një person të kërkojë ndihmë. Nëse në një pikë ëndrrat tuaja apo fakti që i mbani mend ëndrrat që shikoni, ju shkakton stres ose ankth, atëherë duhet të kontaktoni me një doktor.


Ndërsa studiuesit nuk janë ende të sigurt se çfarë i shkakton ëndrrat, është një lehtësim fakti që mbajtja mend e ëndrrave është diçka e zakonshme dhe e shëndetshme. Nuk do të thotë që s’po flini mirë dhe pa dyshim që s’do të thotë që jeni i çmendur apo “jo normal”.


Edhe pse ndihem më i lodhur ato herë që zgjohem natën nga një ëndërr e detajuar, mbajtja mend e detajeve i bën gjërat më interesante, pa përmendur këtu që më jep disa ide fantastike për tregimet e mia. Përveç asaj here që kam ëndërruar gjarpërinj për një javë të tërë. Në një rast të tillë, s’do të doja të mbaja mend.

0 comments
bottom of page