- adagashi
Pse kanceri i qafës së mitrës është kaq i rrezikshëm dhe çfarë duhet te kemi kujdes?
Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet në qafën e mitrës së një gruaje dhe ka një vdekshmëri të lartë duke u rënditur menjëherë pas kancerit të gjirit. Zakonisht prek gratë seksualisht aktive të moshës 30-45 vjeç,por kohët e fundit janë konstatuar edhe prekje të moshave më të reja.
Simptomat e kancerit të qafës së mitrës
Kanceri i qafës së mitrës shpesh nuk ka simptoma në fazat e hershme të tij dhe zhvillohet ngadalë duke dhënë mundësi të zbulohet në kohë.Pavarësisht kësaj,në vendin tonë mbetet akoma problem diagnostikimi në fazë të avancuar i sëmundjes,duke ulur shanset për trajtim.Simptomat më të shpeshta që shfaq ky lloj kanceri janë gjakderdhja jonormale vaginale, e cila mund të ndodhë gjatë ose pas seksit, ose gjakderdhje edhe pse keni kaluar në menopauzë.Të tjera simptoma janë dhimbje e shtuar e këmbëve dhe enjtje e tyre ose probleme në rrugët urinare.
Gjakderdhja jonormale jo gjithmonë lidhet me kancerin e qafës së mitrës, por duhet të konsultoheni me mjekun tuaj dhe të bëni testet rutinë,të cilat janë shumë të rëndësishme në kapjen në faza sa më të hershme të sëmundjes.
Ekzaminimi i të qafës së mitrës (Pap-testi)
Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga kanceri i qafës së mitrës është duke bërë kontrollin sistematik përmes Pap-testit. Pap-testi është një test depistues për ndryshimet malinje dhe premalinje të qafës së mitrës. Bërja e rregullt e këtij testi zbulon qelizat anormale në fazat e hershme . Ёshtë e rëndësishme që gratë seksualisht aktive të bëjnë rregullisht pap-testin si pjesë e kujdesit të vazhdueshëm të shëndetit.
Gjatë ekzaminimit të qafës së mitrës, një mostër e vogël e qelizave merret nga qafa e mitrës dhe kontrollohet nën një mikroskop për anomalitë e mundshme.Nëse pap-testi zbulon anomali ,që nga ndryshimet minimale e deri në ato të gradës së lartë,atëherë ju rekomandohet një tjetër ekzaminim i quajtur kolposkopi.
Nga se shkaktohet kanceri qafës së mitrës?
Pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës janë të shkaktuara nga virusi HPV.
HPV-ja është një virus shumë i zakonshëm që mund të kalojë përmes çdo lloj kontakti seksual.
Ka më shumë se 100 variacione të HPV-së, shumë prej të cilave janë të padëmshme. Megjithatë, disa lloje mund të shkaktojnë ndryshime jonormale tek qelizat e qafës së mitrës, të cilat eventualisht mund të çojnë në kancerin e qafës së mitrës.
HPV 16 dhe HPV 18, njihen të jenë përgjegjëse për shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Përdorimi i masave mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale ofron mbrojtje te mirë kundër HPV-së, por jo të sigurt pasi virusi HPV përhapet edhe përmes kontaktit të lëkurës së zonës gjenitale.
Për tu mbrojtur nga ky virus rekomandohet vaksinimi për të gjithë të rinjtë që nuk kanë filluar aktivitetin seksual.Vaksinimi ul rrezikun e kancerit të mitrës,por nuk eleminon nevojën e pap-testit. Fatmirësisht edhe në Shqipëri vaksina kundër HPV-së ka filluar përdorimin e saj .
Trajtimi i kancerit të qafës së mitrës
Trajtimi i kancerit të mitrës kryhet përmes tre mënyrave:
Kirurgjikale
Radioterapisë
Kimioterapisë
Këto trajtime mund të përdoren të veçura ose të kombinuara varësisht nga faza e avancimit të kancerit.
Kirurgjia përdoret në fazat e para të kancerit. Procedura kirurgjikale e përdorur për të hequr mitrën quhet histerektomi.Histeroktemia mund të jetë totale ose radikale.Pas ndërhyrjes gratë nuk mund të mbesin më shtatzëna dhe nuk do mund të kenë as cikël menstrual.
Radioterapia është një tjetër opsion trajtimi.Në vend të kirurgjisë shumë gra mund të zgjedhin terapinë me rrezatim.
Kimioterapia konstaton në përdorimin e medikamenteve të cilat ndalojnë rritjen e qelizave kancerogjene,qoftë duke i eleminuar ato ose thjesht duke ndalur zhvillimin e tyre.
Rastet më të avancuara të kancerit të qafës së mitrës trajtohen zakonisht duke përdorur një kombinim të kimioterapisë dhe radioterapisë.
Disa nga trajtimet mund të kenë efekte anësore të rëndësishme dhe afatgjata, duke përfshirë menopauzën e hershme dhe infertilitetin.
