top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Rrjetet sociale përballë lojërave elektronike: Koha e kaluar para ekranit nuk është e barabartë


Një studim i ri është zhvilluar në lidhje me kohën e kaluar para ekranit, nga lojërat elektronike tek rrjetet sociale, për të parë se si ndikojnë ato në shëndetin mendor të adoleshentëve.


- Një studim i ri ka arritur në përfundimin se disa forma të ndryshme të kohës së kaluar para ekranit rrisin rrezikun e depresionit tek adoleshentët


- Studimi u krye me rreth 4000 adoleshentë dhe arriti në përfundimin se personat që kalonin orë të gjata në rrjetet sociale si dhe ata që shikonin shumë televizor ishin më të prirur për të kaluar në depresion


- Ndërsa koha e kaluar duke luajtur lojëra elektronike nuk tregoi asnjë lidhje me rritjen e rrezikut për depresion tek adoleshentët


Mesazhe. Lojëra. Rrjete sociale. Detyra shtëpie. Lexim. YouTube.


Ka një arsye që termi “kohë para ekranit” ka spikatur vitet e fundit pasi tashmë telefonat dhe kompjuterat i përdorim për gjithçka. Dhe ndërsa një pjesë e njerëzve ende e përdorin teknologjinë e sotme në mënyrë modeste, shumë nga ne kalojnë kohë të gjatë përpara një ekrani.


Dhe këtu fillon problemi, veçanërisht për grup-moshat më të cënueshme, siç janë adoleshentët dhe fëmijët.


Përdorimi i rrjeteve sociale është shoqëruar me rritje të depresionit tek adoleshentët, ndërkohë që koha e kaluar para ekranit nga fëmijët më të vegjël është lidhur me performancë më të dobët në disa lloje testesh aftësie.


Por jo të gjitha format e kohës së kaluar para ekranit janë të barabarta.


Një studim i ri i Universitetit të Montrealit vlerësoi se si forma të ndryshme të kohës së kaluar para ekranit ndikonin në shëndetin mendor tek një grup adoleshentësh gjatë një periudhe disa vjeçare.


Lojërat elektronike përballë rrjeteve sociale


Studiuesit zbuluan se për disa rezultate specifike, si depresioni, disa forma të kohës para ekranit kishin një lidhje, ndërsa të tjera jo.


“Me studimin tonë treguam se si rritja e përdorimit të rrjeteve sociale dhe televizorit në një vit parashikoi simptoma më të rënda të depresionit brenda të njëjtit vit,” shprehet Elroy Boers, një nga autorët e studimit dhe doktor në departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Montrealit.


Studimi përfshiu rreth 4000 adoleshentë të cilët vetë-raportuan një shumëllojshmëri informacionesh duke përfshirë kohën që kalonin para ekranit për të provuar një lidhje midis kohës para ekranit dhe depresionit gjatë një periudhe 4 vjeçare.


Boers shton se madhësia e grupit mbi të cilin u krye studimi dhe gjatësia e kohës e bëjnë këtë studim një shtojcë bindëse në literaturën e sotme.


Për të provuar se si aktivitete të ndryshme ndikonin në mirëqenie, studiuesit e ndanë kohën e kaluar para ekranit në katër kategori të ndryshme: televizor, rrjete sociale, lojëra elektronike dhe aktivitete të tjera në kompjuter.


Koha e kaluar para ekranit për dy kategoritë e para tregoi një lidhje me rritjen e rrezikut të depresionit, ndërsa dy të tjerat jo.


“Ne ia atribuojmë këto gjetje faktit që rrjetet sociale dhe televizori, ndryshe nga lojërat elektronike dhe përdorimi funksional i kompjuterit, përmbajnë portrete të idealizuara të njerëzve që bëjnë “një jetë më të mirë”, si për shembull portretizime të njerëzve me një jetë perfekte apo dhe trupa perfektë,” shprehet Boer.


Si rrjetet sociale mund të ndikojnë në shëndetin mendor


Gjetjet janë në një linjë me studime të tjera të kohëve të fundit për lidhjen midis rrjeteve sociale dhe depresionit.


Studimi i publikuar në Revistën e Psikologjisë Sociale dhe Klinike në Dhjetor 2018 zbuloi një lidhje të rastësishme mes të dyjave dhe sugjeroi që kufizimi i rrjeteve sociale i bënte njerëzit të ndiheshin më pak të vetmuar dhe më pak të dëshpëruar.


Melissa G. Hunt, autorja kryesore e këtij studimi dhe Zv. Drejtoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Pensilvanisë, u shpreh për studimin e publikuar këtë javë:


“Nuk jam aspak e habitur që kanë gjetur një lidhje midis përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale dhe depresionit. Të dhënat e këtij studimi tregojnë qartë që krahasimi social është një faktor në këtë lidhje.”


Megjithatë, Hunt ishte kritike për përdorimin e të dhënave vetë-raportuese, të cilat i cilësoi si “jo shumë të sakta” dhe sugjeroi se studimet për kohën para ekranit dhe përdorimit të rrjeteve sociale duhet të përdorin matje më objektive të kohës së kaluar për kryerjen e këtyre aktiviteteve.


Pjesëmarrësit në studimin e Hunt të vitit të kaluar duhet të kishin Iphone në mënyrë që të përdoreshin të dhënat për të gjurmuar kohën e saktë që përdoruesi kalonte në ditë për aplikacione të ndryshme.


Lidhja midis rrjeteve sociale dhe depresionit është gjithashtu dominuese në studime të tjera, por arsyeja pse nuk është plotësisht e qartë, megjithëse psikologët e kanë krijuar tashmë një ide.


Boers dhe ekipi i tij u fokusuan në tre hipoteza të ndryshme për të shpjeguar gjetjet e tyre.


Hipoteza e parë, është ajo e “zhvendosjes”, e cila sugjeron se çdo formë e kohës së kaluar para ekranit e zhvendos përdoruesin nga kryerja e aktiviteteve të tjera më të shëndetshme siç është aktiviteti fizik.


E dyta, “krahasimi social”, ndodh kur njerëzit e krahasojnë veten me të tjerë të cilët shfaqen më të arrirë se ata vetë; që mund të jetë fizikisht në aspektin e pamjes, ose në aspektin e pasurisë.


E treta, “spiralet përforcuese”, i referohet faktit kur njerëzit kërkojnë informacion ose përmbajtje në përputhje me njohuritë e tyre. Praktikisht, kjo do të thotë se nëse je liberal politikisht, me shumë gjasa do të kërkosh informacion që përputhet me pikëpamjen tënde politike.


Dhe nëse ndihesh në depresion, atëherë mund të fillosh të kërkosh për informacione që lidhen me gjendjen tënde shpirtërore.


Studimi i Boers-it sugjeron se “krahasimi social” dhe “spiralet përforcuese” janë me shumë mundësi nxitësit e depresionit në lidhje me kohën e kaluar para ekranit, por jo “zhvendosja.”


Në fakt, ky studim e kundërshton plotësisht idenë se lojërat elektronike janë nxitës të depresionit.


“Shumica dërrmuese e fëmijëve i luajnë lojërat elektronike në mënyrë sociale, duke i patur miqtë afër ose duke u bashkuar me miqtë nëpërmjet teknologjisë me anë të përdorimit të kufjeve. Në këtë rast, aftësitë (si ato teknike ashtu edhe ato sociale) shpërblehen, njësoj si një fushë loje apo në një ekip te Olimpiadës Shkencore.


Kjo situatë mund të kthehet në problem vetëm nëse është E VETMJA gjë që një fëmijë bën,” shprehet Hunt.


Çfarë duhet të dinë prindërit


Për prindërit që janë të interesuar të kuptojnë efektet e kohës së kaluar para ekranit tek fëmijët e tyre, ka disa rregulla të përgjithshme, por jo rregulla të rrepta e të shpejta kur bëhet fjalë për sasinë e kohës që fëmijët duhet apo nuk duhet të kalojnë përpara ekranit të aparaturave të tyre elektronike.


“Prindërit duhet të pakësojnë dhe/ose të monitorojnë përdorimin e rrjeteve sociale dhe televizorit nga ana e fëmijëve të tyre. Veçanërisht kur një fëmijë është i cënueshëm nga probleme të shëndetit mendor dhe/ose ka patur në të kaluarën probleme të shëndetit mendor,” shprehet Boers.


“Parandaloni fëmijën tuaj të ekspozohet ndaj portretizimeve të idealizuara të fëmijëve të tjerë që mund të ndikojë në uljen e vetëbesimit të tyre dhe nga ana tjetër të nxisë zhvillimin e simptomave të depresionit.”

0 comments
bottom of page