- Trupi dhe Shëndeti
Shëndeti seksual dhe mosha: si ta mbani pasionin gjallë
Dëshirat seksuale nuk zhduken me kalimin e moshës. Më poshtë do të lexoni si të mbani të ndezur pasionin në çift
Shëndeti seksual është i rëndësishëm në çdo moshë dhe dëshira për intimitet është e përjetshme. Me kalimin e moshës, seksi mund të mos jetë i njëjtë si në moshën 20 vjeç, por patjetër që mund të ofrojë shumë kënaqësi. Zbuloni se cilat aspekte të shëndetit seksual mund të ndryshojnë me kalimin e moshës dhe se si ju dhe partneri juaj mund të përshtateni.
Komunikimi është çelësi
Për të ruajtur një jetë seksuale të shëndetshme, flisni me partnerin tuaj. Gjeni kohë për të qenë sensualë dhe seksualë me njëri tjetrin. Në momente intime me partnerin, ndani mendimet tuaja në lidhje me seksin. Ndihmojeni partnerin tuaj të kuptojë çfarë kërkoni nga ai apo ajo. Jini i sinqertë duke i folur për ndjesitë tuaja fizike dhe emocionale.
Shëndeti seksual dhe seksi i sigurt
Gratë mund të mbeten shtatëzënë deri në moshën e menopauzës. Mungesa e ciklit menstrual për 12 muaj rresht përcaktohet si menopauzë. Nëse jeni seksualisht aktive, përdorni vazhdimisht kontraceptivë deri në menopauzë. Pyesni doktorin tuaj për t’ju sugjeruar llojin e kontraceptivit të përshtatshëm për ju.
Njerëzit e të gjitha moshave duhet të dinë të praktikojnë seksin e sigurt. Nëse kryeni marrëdhënie seksuale me një partner të ri, përdorni gjithmonë prezervativ. Flisni gjithmonë me doktorin tuaj për mënyra të tjera për t’u mbrojtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Nëse jeni në një lidhje afatgjatë me një partner dhe të dy keni kryer kontrollet përkatëse për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, atëherë nuk keni pse të shqetësoheni për t'u mbrojtjur. Por derisa të jeni i sigurt për këtë, përdorni prezervativ kur bëni seks.
Mosha dhe shëndeti seksual i meshkujve
Testosteroni luan një rol të rëndësishëm në eksperiencën seksuale të një mashkulli. Nivelet e testosteronit variojnë shumë mes meshkujve. Gjithsesi, në përgjithësi meshkujt në moshë më të madhe kanë nivele më të ulta të testosteronit sesa meshkujt në moshë më të re.
Me kalimin e moshës së mashkullit, penisi mund të kërkojë më shumë kohë për t’u forcuar. Gjithashtu koha që duhet për të arritur eksitimin maksimal dhe orgazmën mund të jetë më e gjatë. Mosarritjet e ereksionit gjithashtu bëhen më të zakonshme. Ekzistojnë mjekime për t’i ndihmuar meshkujt të arrijnë ose të ruajnë një ereksion të duhur për aktivitetin e tyre seksual.
Mosha dhe shëndeti seksual i femrave
Me afrimin e moshës së menopauzës, niveli i estrogjenit tek femrat ulet, çka mund të shkaktojë thatësi në vaginë dhe eksitim më të ngadaltë. Ndryshimet emocionale mund të rrisin stresin i cili mund të ndikojë në humbjen e interesit për seks.
Ndërsa disa gra mund ta shijojnë seksin pa u shqetësuar për shtatëzaninë, ndryshimet e natyrshme që ndodhin në format dhe masën e trupit mund të ndikojë ndryshe tek disa gra të tjera duke i bërë të ndihen më pak të dëshirueshme.
Gjendja shëndetësore, mjekimet dhe shëndeti seksual
Sëmundje të ndryshme që prekin shëndetin tuaj të përgjithshëm si dhe mirëqenien tuaj mund të ndikojnë gjithashtu në shëndetin tuaj seksual. Sëmundje që përfshijnë sistemin kardiovaskular, siç janë tensioni i lartë, diabeti, problemet hormonale, depresioni apo ankthi, mund t’ju pengojnë në jetën tuaj seksuale aktive.
Gjithashtu, mjekimet që përdoren për trajtimin e këtyre sëmundjeve mund të pengojnë përqasjen tuaj ndaj seksit. Për shembull, disa mjekime për tensionin e lartë, mund të ndikojnë në aftësinë tuaj për t’u eksituar. Ndërkohë, disa mjekime të tjera mund të vështirësojnë arritjen e orgazmës.
Nëse mendoni se po përjetoni efekte anësore në seks nga një mjekim specifik, konsultohuni me doktorin tuaj. Ai mund t’ju rekomandojë të merrni një mjekim tjetër që jep më pak efekte anësore në jetën tuaj seksuale ose të shtoni një mjekim tjetër që ndikon në zvogëlimin e këtyre efekteve anësore.
Kirurgjia dhe shëndeti seksual
Çdo ndërhyrje kirurgjikale që prek legenin tuaj dhe sistemin tuaj qëndror nervor mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në përqasjen tuaj seksuale. Gjithsesi, trupi i njeriut ka aftësi të ripërtërihet shpejt.
Kur njëri nga partnerët sëmuret
Nëse jeni i sëmurë, jeta juaj seksuale mund të kalojë përkohësisht në plan të dytë. Dhimbjet, shqetësimet apo ilaçet e ndryshme mund të eklipsojnë dëshirat tuaja seksuale. Flisni me partnerin tuaj për mënyra të tjera për të qëndruar pranë njëri tjetrit gjatë kësaj periudhe.
Nëse jeni ju që duhet të kujdeseni për partnerin tuaj, me kalimin e kohës kërkesat për përkujdesje mund të ndikojnë negativisht në dëshirat tuaja seksuale. Gjeni një mënyrë që herë pas here ta lini mënjanë rolin e doktorit dhe të rimerrni rolin e partnerit në mënyrë që të ndiheni i relaksuar dhe i përkëdhelur nga partneri. Në këtë mënyrë, mund të shijoni të dy një eksperiencë të kënaqshme seksuale.
Ndryshimet në dëshirat seksuale të çiftit
Ndryshimet në dëshirat seksuale janë të zakonshme mes çifteve të të gjitha moshave. Çiftet mund të bllokohen në situata të tilla ku njëri person nxit kontaktin ndërkohë që tjetri e shmang atë. Nëse jeni ju që kryesisht e shmangni seksin, duhet të konsideroni marrjen përsipër të disa angazhimeve. Nëse jeni ju që zakonisht e nxisni seksin, atëherë përpiquni të flisni me partnerin për nevojat tuaja.
Nëse jeni i shqetësuar se mund ta lëndoni partnerin tuaj, flisni per eksperiencën tuaj duke shmangur bisedat që i referohen vetëm vetes tuaj apo nevojave të trupit tuaj. Nga ana tjetër, përpiquni të kuptoni nevojat dhe dëshirat e partnerit tuaj. Bashkë mund të gjeni mënyra për të plotësuar nevojat seksuale reciproke.
Shikoni gjithmonë para, asnjëherë pas
Shumë çifte duan të dinë se si të kthejnë jetën e tyre seksuale në nivelet e përjetuara në moshën 20, 30 dhe 40 vjeçare. Por në fakt, duhet të zbuloni mënyra për të optimizuar përqasjen e trupit ndaj eskperiencave të tanishme seksuale. Pyesni veten tuaj çfarë është e përshtatshme dhe çfarë mund t'ju kënaqë në mënyrë reciproke.
Në treg ka libra të shumtë që mund t’ju këshillojnë se si të ruani një jetë të shëndetshme seksuale me kalimin e viteve. Veç kësaj, shumë çifte kanë vendosur si zgjidhjen më të mirë konsultimin me një ekspert. Doktori juaj mund t’ju japë sugjerime të dobishme ose t’ju referojë tek një specialist i fushës.