- Trupi dhe Shëndeti
Shumë sheqer? Zbuloni si të “detoksifikoheni”
Një ëmbëlsirë…e hidhur
Sipas ekspertëve, sheqeri, të cilin të gjithë tashmë kanë filluar ta përdorin në mënyrë të tepruar dhe të pakujdesshme, shkakton një varësi të vërtetë duke bërë që trupi të kërkojë gjithnjë e më shumë ëmbëlsira.
Dëmet në organizëm
Sasi të tepruara sheqeri, përveç se ndikojnë në peshën trupore, vënë në rrezik shëndetin e dhëmbëve dhe të lëkurës. Edhe lodhja, nervozizmi, çrregullimet e humorit dhe pagjumësia kanë lidhje me konsumimin e tepërt të sheqernave.
Numëroni lugët
Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje njerëzve të përgjysmojnë sasinë. Do të ishte mirë që secili nga ne të mos konsumojë më shumë se 25 gram sheqer në ditë, e barazvlefshme me rreth 6 lugë çaji.
Mëngjesi
Është e rëndësishme ndryshimi i zakoneve, duke filluar nga konsumimi i mëngjesit. Sheqernat e frutave bashkë me karbohidratet integrale dhe mjaltin mjaftojnë për ta furnizuar organizmin me energji duke ofruar ndjesinë e ngopjes për pjesën e parë të ditës.
Qumështi
Shija e ëmbël e qumështit nuk ka nevojë për sheqer shtesë. Është thjesht një çështje zakoni: duke zvogëluar gradualisht lugët e sheqerit organizmi mësohet t’i shijojë ushqimet sipas shijes së tyre natyrale.
Ëmbëlsira të përgatitura në shtëpi
Nëse ju ka zënë dëshira për diçka të ëmbël, mësoni të përgatisni në shtëpi një kek me fruta të freskëta apo të thata. Të jeni të sigurt që kanë shumë më tepër vlera ushqimore dhe bëjnë më pak dëm se alternativat e tregut.
Pijet freskuese
Një lëng frutash përmban rreth 10 gram sheqer, një pije e gazuar mund të përmbajë deri në 40 gram. Zgjidhni gjithmonë të parën dhe përgatisni në shtëpinë tuaj lëngjet natyrale të frutave.
Vaktet e vogla
Ndalohen ëmbëlsirat dhe karamalet! Vaktet e vogla ditore duhet të jenë të pasura me energji falë konsumimit të perimeve, frutave të freskëta e të thata, etj.
Dieta e ekulibruar
Përpiquni të përfshini në ushqyerjen tuaj ingredientë të thjeshtë dhe natyralë, si peshku, vaji i ullirit, karbohidratet integrale, frutat etj.
Për ta kthyer në zakon
Ditët e para është normale të ndjeni një dëshirë të madhe për sheqerna. Përgatisni një kosh plot me fruta dhe një tjetër me shumë perime të lara që mund t’i konsumoni gjatë momenteve që ju kap uria. Gjithashtu shmangni vendet ku është e pamundur t’i rezistoni tundimit, si baret apo pastiçeritë.
