top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Simptomat e stresit: Efektet në trup dhe sjellje


Simptomat e stresit mund të jenë duke ndikuar negativisht në shëndetin tuaj, edhe pse mund të mos jeni në dijeni për këtë. Mund të mendoni se është faji i ndonjë sëmundjeje të lehtë për atë dhimbjen shqetësuese të kokës, për pagjumësinë e vazhdueshme apo për rënien e produktivitetit në punë. Por në fakt, stresi mund të jetë shkaku i vetëm.


Efektet e zakonshme të stresit


Në të vërtetë, simptomat e stresit mund të ndikojnë negativisht në trupin tuaj, në mendimet, ndjenjat dhe në sjelljen tuaj. Njohja e simptomave të zakonshme të stresit mund t’ju ndihmojë në menaxhimin e tyre. Moskontrolli i stresit mund të çojë në probleme të shumta shëndetësore, siç janë, tensioni i lartë i gjakut, sëmundje të zemrës, obezitet dhe diabet.

Efektet e zakonshme të stresit mund të jenë:


Në trupin tuaj: dhimbje koke, tërheqje apo dhimbje muskujsh, dhimbje kraharori, lodhje, humbje e dëshirës seksuale, shqetësime në stomak, probleme me gjumin


Në humorin tuaj: ankth, nervozizëm, mungesë motivimi apo përqëndrimi, ngarkesë emocionale, acarim i shpeshtë, trishtim apo depresion


Në sjelljen tuaj: mbingrënie apo mosngrënie nga mungesa e oreksit, shpërthime zemërimi, përdorim i drogës apo alkolit, përdorim i duhanit, mbyllje në vetvete


Merrni masa për të menaxhuar stresin


Nëse keni simptoma të stresit, ndërmarrja e hapave për menaxhimin e tij mund të ketë benefite në shëndetin tuaj. Eksploroni strategji të ndryshme për menaxhimin e stresit, siç janë:


· Aktiviteti i rregullt fizik

· Ushtrimi i teknikave të relaksimit, sic janë frymëmarrja e thellë, meditimi, joga, tai chi ose masazhi

· Ndjenja pozitive e humorit

· Kalimi i kohës me familjen dhe miqtë

· Gjetja e kohës për pasionet tuaja, siç mund të jetë leximi i një libri apo dëgjimi i muzikës


Përpiquni të gjeni mënyra aktive për të menaxhuar stresin. Mënyrat joaktive të menaxhimit të stresit, siç janë televizori, interneti apo lojërat elektronike, mund të duken relaksuese, por në terma afatgjatë, ato rrezikojnë të çojnë në rritje të stresit.


Gjithashtu, sigurohuni që të flini mjaftueshëm dhe të ndiqni një dietë të shëndetshme e të balancuar ushqimore. Shmangni duhanin, alkolin, kafeinën e tepërt si dhe përdorimin e substancave të paligjshme.


Kur duhet të kërkoni ndihmë?


Nëse nuk jeni i sigurt që stresi është shkaku i gjendjes tuaj shëndetësore apo nëse i keni ndërmarrë hapat për menaxhimin e stresit por simptomat vazhdojnë, atëherë duhet të takoni doktorin tuaj, i cili mund të kontrollojë për shkaqe të tjera të mundshme. Ose mund të merrni në konsideratë takimin me një psikolog apo terapist, i cili mund t’ju ndihmojë në identifikimin e burimeve të stresit tuaj dhe t’ju mësojë mënyra të reja menaxhimi.


Gjithashtu, kërkoni menjëherë ndihmë nëse keni dhimbje kraharori, veçanërisht nëse keni marrje fryme, dhimbje të nofullave ose mesit, dhimbje që përhapet nga shpatullat tek krahët, djersitje, marramendje apo ndjesi pështjellimi. Këto mund të jenë shenja të një ataku kardiak dhe jo thjesht simptoma të stresit.

0 comments
bottom of page