- Trupi dhe Shëndeti
Të gjitha këshillat për parandalimin e diabetit

Diabeti: nëse e njeh, e shmang
Diabeti është përcaktuar si një nga sëmundjet më të rëndësishme të shekullit. Por edhe nëse jemi në dijeni që ekziston një predispozicion gjenetik, shumë studime shkencore kanë dëshmuar se një stil i shëndetshëm jetese mund të ulë probabilitetin për t’u sëmurur me diabet. Të zbulojmë bashkë cilat janë këshillat e specialistëve në lidhje me ushqimin dhe zakonet e mira që duhet të ndjekim.
Ti je çfarë ha
Trajtimi dhe parandalimi i diabetit kalon pikë së pari nga mënyra e të ushqyerit. Të paturit kujdes se çfarë hamë dhe shmangia e ushqimeve të dëmshme mund të bëjë vërtet ndryshim. Të shikojmë cilat janë ushqimet e mira dhe jo të mira për ata që duhet të mbajnë nën kontroll gliceminë.
Shtoni fibrat
Fibrat e pranishme tek drithërat dhe derivatet integrale (orizi, buka, makaronat dhe produktet e tjera të miellit), por kryesisht fibrat që gjenden tek perimet, arrijnë të bllokojnë një pjesë të sheqernave që furnizohen nga një vakt duke ndaluar përthithjen e tyre në gjak. Në këtë mënyrë, ato ndihmojnë në shmangien e rritjes së nivelit të sheqerit.
Vendosni proteina në pjatë
Konsumoni ushqime proteinike duke alternuar peshk, perime, mish me përqindje të ulët yndyrore, vezë, tofu dhe tempeh, por edhe produkte të gjizës dhe djath kaçkavall. Proteinat, ashtu si edhe fibrat, ngadalësojnë përthithjen e sheqernave në gjak.
Vetëm yndyrna “të mira”
Vaj ulliri (deri në 3.5 lugë në ditë), peshk (salmon, sardele, ton, açuge) 3-4 herë në javë, avokado (deri në 70 gram në ditë), fruta të thata dhe fara të yndryshme si bajame, arra dhe fara chia (deri në 30 gram në ditë) janë të këshilluara. Duke qenë se ushqimet e mësipërme përmbajnë yndyrna të mira, ato ndihmojnë në pastrimin e arterieve të gjakut, ulin gjendjet inflamatore duke kontribuar në parandalimin e diabetit
Jo sheqerit, po gjethes së Stevias
Gjethet e Stevias përdoren për të prodhuar një produkt zëvendësues të sheqerit. Përdorimi i Stevias, përveç se nuk ndikon në rritjen e glicemisë në gjak, nuk ka efekte anësore dhe kontribuon në uljen e dëshirës për të ëmbla.
Kanella, çfarë dashurie!
Kjo erëz është një ndihmesë më shumë për parandalimin e rritjes së nivelit të sheqerit në gjak.
Makaronat janë ok
Të shuajmë një mit: në përgjithësi karbohidratet nuk janë të ndaluara por është e këshillueshme të konsumohen ato integralet. Patjetër që mund të hani makaronat tuaja të preferuara, por në sasi modeste.
Ëmbëlsira po, por për mëngjes
Një copë tortë shtëpie e përgatitur me miell integral dhe përbërësit klasikë, si qumësht, vezë, gjalp dhe maja është mëse e përshtatshme për t’u konsumuar për mëngjes e shoqëruar me çaj dhe disa bajame ose me kafe dhe qumësht.
Kujdes nga mishi i kuq
Salçiçet dhe mishi i kuq duhen konsumuar në sasi shumë të vogla. Konsumimi me shumicë i këtyre yndyrnave shton probabilitetin për t’u sëmurur me diabet.
Djathërat: jo faleminderit
Për të mbajtur nën kontroll diabetin, kufizoni sa më shumë të mundeni konsumimin e djathërave.
Ndalohen pijet freskuese
Sheqeri që shkon në gjak nëpërmjet lëngjeve rrit nivelet e glicemisë në gjak, dëmton qelizat e pankreasit dhe zvogëlon në mënyrë më të shpejtë ndjeshmërinë ndaj insulinës, krijon dhjam në pjesën e barkut dhe në fund mund të shkaktojë diabet.
Ujë me shumicë
Nëse pijet freskuese duhen shmangur me çdo kusht, ai që nuk duhet të mungojë kurrë është uji. Është e rëndësishme të pish të paktën 8 gota ujë në ditë, por sa më shumë aq më mirë.
Ndalohet alkooli
Duhet shmangur vera dhe pijet alkoolike.
Vitamina? Pse jo
Studime të shumta sugjerojnë që vitaminat C dhe K dhe magnezi mund të zvogëlojnë mundësinë për t’u sëmurur me diabetin e tipit 2. Këshillohen veçanërisht ananasi, perimet dhe gjethet jeshile dhe avokado.
Vetëm çokollatë fondente
Pas gjithë kësaj liste me ushqime të ndaluara, më në fund një lajm i mirë! Në lidhje me diabetin, ngrënia e herëpashershme e çokollatës nuk përbën problem, por është më mirë që ajo të jetë fondente.
Dëshiron një kafe?
Kërkimet shkencore kanë treguar se molekulat biokaktive që përmban kafeja ndihmojnë në rregullimin e niveleve të sheqerit në gjak.
Një mjek për mik
Ndonjëherë, vetëm mënyra e të ushqyerit nuk mjafton dhe atëherë hyn në lojë mjekësia. Në fakt, nëse kujdesi që tregoni në tavolinë nuk mjafton që të mbajtur nën kontroll diabetin, atëherë është e rëndësishme t’i drejtoheni mjekut për të marrë disa masa paraprake që mund të parandalojnë shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Më poshtë do të lexoni disa praktika të mira për t’u ndjekur të cilat ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të glicemisë.
Kontrollet periodike
Nëse niveli juaj i glicemisë është nga 100 në 125 mg/dl, atëherë duhet ta masni atë çdo 6-12 muaj.
Dardha bie nën dardhë
Nëse keni një prind apo një motër ose vëlla me diabet të tipit 2, pas moshës 30 vjeç duhet të filloni të masni gliceminë një herë në vit.
Pyesni specialistin
Është mirë të pyesni mjekun nëse keni simptoma specifike, siç mund të jenë: etje apo uri e tepërt, nevojë e shpeshtë për të urinuar, humbje drastike e peshës, shikim i mjegulluar apo mpirje të gishtave.
Vëmendje ndaj shenjave
Nëse vuani shpesh nga infeksionet urinare apo të organeve gjenitale, ose infeksione të lëkurës, atëherë është mirë të masni gliceminë. Këtë duhet ta bëjnë edhe personat mbi moshën 45 vjeç dhe nëse rezultatet janë brenda normave, këto analiza duhet të përsëriten çdo 3 vjet.
Mbani dietë
Nëse jeni mbi peshë, edhe 5 kilogram humbje peshe mund të zvogëlojë në mënyrë të konsiderueshme rrezikun për shfaqjen e diabetit, duke përmirësuar kështu mirëqenien e përgjitshme të organizmit.
Vihuni në lëvizje!
30 minuta në ditë aktivitet fizik janë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll peshën e trupit dhe gliceminë.