top of page
  • Trupi dhe Shëndeti

Tre arsye që në mënyrë të fshehtë ndikojnë në shëndetin tonë gjatë udhëtimeve


Të gjithë ne i njohim rreziqet e zakonshme që shoqërojnë udhëtimet tona. Mund të ftohemi ose të marrim lehtësisht një virus për shkak të vendeve të ngushta në avion; pastërtia e ujit varion sipas çdo shteti dhe mund të shkaktojë infeksion në stomak, ashtu si edhe insektet në vende të ndryshme mund të përcjellin disa sëmundje aspak të këndshme. Por disa gjëra të tjera më tinëzare mund të jenë duke ndikuar negativisht në shëndetin tonë.


Intervistuam Dr. Charles Brenner, ekspert i një molekule thelbësore të quajtur NAD, e cila ndikon në shëndetin tonë të përgjithshëm mitokondrial dhe qelizor. Në thelb, kjo molekulë nxit aftësinë e qelizave tona për të prodhuar energji si dhe për të rritur elasticitetin ndaj stresorëve metabolikë, e thënë ndryshe ndaj rrethanave në të cilat vendosemi gjatë udhëtimeve tona.


Dr. Brenner shprehet: “Ka shumë faktorë që ndikojnë në shëndetin tuaj gjatë një udhëtimi. Disa efekte janë të dukshme, ndërsa disa të tjera ndikojnë negativisht në trup në nivel qelizor, duke kontribuar kështu në ndjesinë e përgjithshme të lodhjes që përjetojmë gjatë periudhave të gjata të udhëtimeve.”


Atëherë, cilët janë këto stresorë të nxitur nga udhëtimet që në mënyrë të fshehtë ndikojnë në trupat tonë? Më poshtë do të lexoni tre shkaqet kryesore, sipas Dr. Brenner, dhe si t’i luftojmë ato.


1. Ndryshimi i Orës


“Trupi juaj ka një ritëm rrethor që është i lidhur me lindjen dhe perëndimin e diellit si dhe me ambientin e shtëpisë,” shprehet Brenner. “Kur udhëtoni, ora e trupit tuaj ndërpritet, veçanërisht kur udhëtoni nga lindja në perëndim nëpër disa shtete me zona të ndryshme kohore. Ky ndryshim kohor mund t’ju bëjë të ndiheni letargjikë si dhe të keni probleme gastroinstestinale. Këto efekte mund të jenë edhe më të rënda nëse i ndërroni shpesh zonat kohore”.


Cila është zgjidhja? “Nëse do udhëtoni në një shtet me zonë të ndryshme kohore, sapo të hipni në avion rregulloni orën tuaj duke e vendosur në orën e destinacionit ku do shkoni dhe përpiquni të përshtateni paraprakisht me të,” vazhdon më tej Brenner. “Në varësi të faktit nëse po fluturoni drejt perëndimit apo lindjes, është mirë të përpiqeni të relaksoheni dhe të flini gjumë ose të rrini zgjuar deri vonë për të lehtësuar adaptimin e trupit tuaj me orën e re.”


2. Dehidratimi


Një problem veçanërisht i bezdisshëm kur fluturon është dehidratimi i cili mund të pengojë funksionimin normal të qelizave dhe organeve tona. “Në kabinat e avionëve, niveli i lagështirës është i ulët, çka na shkakton etje,” shprehet Brenner. Lagështia e ajrit në avion është rreth 15%, krahasuar me nivelin 30-60% që zakonisht përjetojmë në tokë. Veç kësaj, nëse konsumojmë kafeinë dhe alkool, përmbajtja e ujit në trupat tonë ulet.


Për t’u siguruar që të jeni i hidratuar, mbani mend disa gjëra. “Pini shumë ujë dhe përpiquni të evitoni pijet diuretike,” shpjegon Brenner. “Kjo mund të jetë sfiduese pasi në avion ju ofrohen pa limit pije me kafeinë si dhe pije alkoolike. Bëni kujdes nga ushqimet që ndikojnë në tharjen e ujit në trupin tuaj, siç janë frutat e thata, kikirikat, patatinat, biskotat me kripë dhe ushqimet e përpunuara më përmbajtje të lartë sodiumi.”


3. Qarkullimi i dobët i gjakut


Mungesa e lëvizjes dhe presioni i ulët atmosferik në kabinën e avionit e vështirëson qarkullimin e gjakut nga këmbët deri tek zemra. Kjo jo vetëm që shkakton fryrjen e këmbëve dhe të nyjeve, por mund të shkaktojë situata më të rënda siç mund të jetë një mpiksje e gjakut e quajtur Trombozë e Thellë Venoze. Nëse kjo mpiksje arrin të shkojë në mushkëri, mund të shkaktojë vdekjen e personit.


“Është e rëndësishme të lëvizni sa më shumë dhe të ngrini këmbët nëse është e mundur,” këshillon Brenner. “Të visheni me rroba të lirshme gjatë udhëtimit ju ndihmon në qarkullimin e lirshëm të gjakut.” Gjithashtu, siç u shpjegua edhe në pikën 2, pirja e shumë lëngjeve dhe shmangia e pijeve diuretike ndihmon në qarkullimin normal të gjakut dhe parandalimin e mpiksjeve të rrezikshme të tij.

0 comments
bottom of page