- Trupi dhe Shëndeti
Çfarë është refluksi gastro-ezofageal dhe a është ai i rrezikshëm?
Refluksi gastro-ezofageal është një patologji, e cila ka të bëjë me kthimin e ushqimit nga stomaku në ezofag, gjë që ndodh kryesisht pak kohë pas marrjes së ushqimit, si dhe gjatë qëndrimit shtrirë. Duke qenë se përmbajtja e stomakut është e pasur me acid klorhidrik, kalimi i ushqimit të pasur me acid klorhidrik në ezofag provokon djegie, e cila përjetohet në kraharor nga fillimi i stomakut e deri në fyt. Refluksi gastro-ezofagal zakonisht fillon që në fëmijëri por vetëm një numër i vogël prej fëmijëve vazhdojnë të kenë refluks kur rriten. Nëse kjo sëmundje nuk trajtohet mund të shkaktojë dëmtim të mukozës së ezofagut në trajtën e erozioneve apo ulçerave dhe më rrallë shafqjen e kancerit kardio-ezofageal.Përveç kësaj, kjo patologji mund të çojë në laringit kronik,ndryshim të zërit ,kollë kronike,kruajtje të zërit dhe probleme të tjera.
Cilat janë simptomat e refluksit gastro-ezofageal?
Zakonisht shumica e njerëzve kanë refluks i cili shpesh nuk vihet re.Kur përmbajtjet e kthyera në ezofag rikthehen menjëherë në stomak ato nuk e dëmtojnë ezofagun.Por kur aciditeti i shtuar qëndron në ezofag fillon të dëmtojë edhe mukozën përreth tij.Kur përmbajtjet e stomakut të kthyera në ezofag kalojnë në gojë ose hyjnë në rrugët e frymëmarrjes atëherë personat që kanë problem me refluksin fillojnë të kenë zë të ngjirur ose kollë kronike.
Shenja te tjera te refluksit përfshijnë:
· pneumoni ose bronkit (si pasojë e aspirimit të lëngjeve të stomakut në rrugët e frymëmarrjes)
· vështirësi në gëlltitje
· të vjella
· dhimbje fyti
· vështirësi në frymëmarrje
· humbje në peshë
· djegie kraharori (me e shprehur tek të rriturit)
· faringit kronik
· ndryshim të zërit
· kollë kronike irrituese
Si diagnostikohet refluksi gastro-ezofageal?
Ju duhet të konsultoheni me mjekun gastroenterolog, i cili është i specializuar në trajtimin e sëmundjeve të traktit tretës. Mjeku juaj do t’ju bejë një ekzaminim të imtësishëm fizik dhe do t’ju rekomandojë ekzaminime qe vendosin përfundimisht diagnozën e refluksit gastro-ezofagal.
Testet me te shpeshta për të diagnostikuar refluksin gastroezofagal janë:
1-Skopi me kontrast e stomakut,ku përmes rrezeve X mund te shihen dëmtimet dhe funksioni i sfinkterit të poshtëm kardio-ezofagal,stomakut ose të zorrëve. Për të bërë këtë ekzaminim fillimisht ju do ju duhet të pini një lëng në ngjyre të bardhë që quhet kontrast bariumi i cili ndihmon në marrjen e imazheve nën rrezet X.Mjeku juaj nuk mund te vendosë diagnozën vetëm nëpërmjet skopisë me kontrast por kjo e fundit ndihmon në përjashtimin e problemeve të tjera serioze që kanë të njëjtat simptoma si refluksi.
2-Endoskopia (gastroskopia). Përpara kësaj procedure pacientit i bëhet një qetësuës venoz. Me anë të këtij ekzaminimi mjeku juaj mund të vlerësojë imtësisht mukozën e ezofagut, stomakut dhe duodenit.Gjithashtu gjatë ekzaminimit doktori mund të marrë disa qeliza për ekzaminim të mëtejshëm (pra biopsia).
Me cilat sëmundje të tjera ngjasojnë simptomat e refluksit?
· Dispepsia(një çrregullim funkisonal ku organet e aparatit tretës nuk funksionojnë normalisht) Fryrje
· Gogësima
· Djegësi e stomakut
· Gurët e tëmthit
· Ulçera
· Gastriti
Obeziteti dhe refluksi
Lidhja mes obezitetit dhe refluksit është vërtetuar në shumë studime. Hernia hiatale, shkaku më i shpeshtë i refluksit, shfaqet shumë më shpesh tek obezët në krahasim me personat me peshë trupore normale.Shtimi i indit dhjamor të barkut, e rrit presionin intrabdominal (situatë e ngjashme me shtatzaninë) dhe lehtëson shfaqen e refluksit.Tek obezët çrregullimet e lëvizjeve të tubit të ushqimit (peristaltika) janë shumë më të shpeshta se tek personat me peshë trupore normale (35-40%). Çrregullimet e lëvizjeve të tubit të ushqimit janë një ndër faktorët kryesore që ndikojnë në shfaqjen e refluksit.
Trajtimi i refluksit
Ekzistojnë 4 metoda për trajtimin e refluksit. Zgjedhja e metodës së trajtimit bëhet nga mjeku juaj, sipas shkallës së refluksit dhe përparimit të sëmundjes.
· Ndryshim i mënyrës së jetesës
· Trajtim medikamentoz (me ilaçe).Qëllimi kryesor i trajtimit medikamentoz i refluksit është ulje e aciditetit të lëngjeve të stomakut
· Trajtim kirurgjikal
· Trajtim endoskopik
Cilat janë produktet që shtojnë refluksin:
· Agrumet
· Domate
· Erëzat
· Nenexhiku, mentja
· Djathi kaçkavall, mish i yndyrshëm
· Cigarja dhe alkoli
· Kafeina
· Çokollata
· Pijet me gaz
.
Çfarë duhet të keni parasysh mbi refluksin:
· Të keni kujdes me konsumimin e duhanit apo alkoolit
· Të shmangi ushqimin në orët e vona dhe të mos shtriheni menjëherë pasi konsumoni ushqim
· Hani më pak dhe më shpesh dhe kujdesuni që mos të mërrni peshë
· Shmangni ushqimet e yndyrshme apo pikante
· Shmangni përdorimin e lëngjeve me gaz ,çokollatave dhe lëngjeve që përmbajnë shumë acid si lëngu i portokallit.
· Ngrini kokën e krevatit disa centimetra më lart në mënyra që koka dhe qafa të jetë me lart se pjesa tjetër e trupit. Shtimi i disa jastëkëve nuk e zgjidh problemin.
· Limitoni përdorimin e portokallit,mandarianave apo ananasit.
· Limitoni përdorimin e kafesë apo çajit të zi.
. Nëse medikamentet dhe këshillat e dietës ushqimore nuk e përmirësojnë situatën tuaj atëherë mund të rekomandohet edhe kirurgjia laparoskopike.
